Për breza me radhë besimtarët i kanë çuar problemet e tyre te Zoti në lutje. Tani
ata duhet t’i çojnë te një psikiatër apo psikolog. Të rinjtë nuk nxiten më të
predikojnë Fjalën. Tani fjala thirrëse është: “Praktiko këshillimin psikologjik!”.
Këshillimi profesional është bërë si një lopë e shenjtë saqë gjithmonë do të dalë
dikush në mbrojtje të tij. Ku qëndron problemi me të? Më lejoni të rendit
njëmbëdhjetë gjëra që janë gabim në lidhje me të.

1. Vëmendja e personit drejtohet te vetja dhe jo te Krishti. Kjo është një e metë
fatale. Në vetvete nuk ka fitore. Vetëshqyrtimi nuk është një kurë. Detarët e mirë
nuk i hedhin spirancat e tyre brenda varkës. Neve na nevojitet Dikush më i madh
se vetja dhe ky Dikushi është Krishti. Herët a vonë ne duhet ta kuptojmë se të
shkuarit te Krishti është mënyra për të korrur fitore në jetën e krishterë (2 Kor.
3:18).

Ibsen, dramaturgu norvegjez, tregon për një vizitë për të cilën Pjetër Gynt pagoi në
një spital psikik. Të gjithë njerëzit dukeshin normalë. Askush nuk dukej i çmendur.
Ata flisnin krejt arsyeshëm për planet e tyre. Kur Pjetri ia përmendi këtë një doktori,
ky i fundit i tha: “Ata janë të çmendur. E pranoj se flasin me arsye, por bëhet fjalë
vetëm për veten e tyre. Në fakt, ata janë fiksuar më zgjuarsisht me vetveten. Është
vetvetja - në mëngjes, në drekë, në darkë. Këtu ne nuk mund të shpëtojmë nga
vetja. Ne e tërheqim atë me vete, edhe në ëndrrat tona. Po, zotëri, ne flasim me
arsye, por nuk jemi veçse të marrë”.

2. Psikologjia moderne mbështetet në diturinë njerëzore dhe jo atë hyjnore. Ajo
është më tepër mendësia njerëzore sesa Fjala autoritare e Perëndisë. Larmia e
opinioneve njerëzore shihet në faktin se ka më tepër se 250 sisteme psikoterapie
dhe më tepër se 10,000 teknika (duke përfshirë edhe atë për të ndihmuar kafshët
shtëpiake), dhe secila prej tyre duke shpallur epërsinë e vet mbi të tjerat.

Don Hillis thotë: “Kjo prirje ka si pasojë të paktën një element të rrezikshëm:
arsyetimi njerëzor zë vendin e Fjalës së Perëndisë për të zgjidhur problemet
emocionale e frymërore. Përgjigjet e arsyeshme… që nuk mbështeten në parimet
frymërore mund të çojnë në një lehtësim të përkohshëm, por nga ana tjetër mund
të bëhen zhgënjyese dhe dëmtuese”.

3. Shumë nga problemet, për të mos thënë pjesa më e madhe, për të cilat njerëzit
kërkojnë këshillim, shkaktohen nga mëkati: martesa të prishura, familje të
copëtuara, konflikte ndërpersonale, shqetësimi, droga, alkooli dhe disa forma
depresioni. Për probleme të tilla ne nuk kemi nevojë për trajnerin, por për Kryqin.
Vetëm Shpëtimtari mund të thotë: “Mëkatet e tua të janë falur, shko në paqe”.

4. Këshillimi modern përfshihet shumë në largimin e fajit. Kështu, sipas atij,
mëkati është sëmundje. Ose shkaktohet nga mjedisi që ka njeriu. Prindërit
fajësohen për sjelljen e papranueshme të fëmijëve të tyre. Si rezultat njerëzit janë
lehtësuar nga përgjegjësia vetjake. Gjon MekArtur (John MacArthur) tregon për një
grua që thoshte se kishte një problem me kurvërinë e pafrenueshme për vite me
radhë: “Këshilluesi hodhi idenë se sjellja e saj ishte rezultat i plagëve të
shkaktuara nga një baba i nënshtruar dhe një nënë autoritare”.

Enri Sioen Kofin (Henry Sioane Coffin) e rroku situatën me zgjuarsi: “Psikologjia e
sotme u shton … alibive [justifikimeve] morale. Burrat e gratë analizojnë veten e
tyre dhe e konsiderojnë emancipim dëbimin e emrave të shëmtuar që feja e fortë i
quan mëkate, duke i ripagëzuar ata me emërtime pa mendim faji. Për shembull,
ata thotë: ‘Ata janë të keqrregulluar, apo të kthyer në vetvete’, në vend që të thonë
se ata janë të pandershëm apo egoistë. Ose, një baba i moshës dyzet e pesë
vjeçare lodhet me gruan e tij dhe lidhet me një vajzë sa gjysma e moshës së tij
dhe dëgjon t’i thuhet nga profesionisti i tij se po vuan nga ‘një spazmë e
riadoleshencës’, kur ai duhet goditur në fytyrë me shprehjen: ‘Mos kryej shkelje të
kurorës’”.

5. Psikoterapia vepron drejtpërdrejt në kundërshtim me Frymën e Shenjtë duke
theksuar rëndësinë e një vetëdukjeje të mirë, e një rasti të shëndetshëm
vetëvlerësimi. Fryma e Shenjtë përpiqet të bindë njerëzit për mëkat dhe t’i çojë në
pendim. Ai përpiqet të përtërijë besimtarët zemërpërdalë dhe t’i çojë në rrëfim.
Çdo vetëvlerësim që nuk mbështetet në faljen e mëkateve dhe pozitës së njeriut
në Krishtin është i rremë deri në palcë.

6. Sigurisht që është edhe ana financiare. Jakob Montogomeri Bojs (James
Montgomery Boice) komenton: “Kështu kemi fenomenin unik në kohën tonë ku
njerëzit paguajnë njerëzit e tjerë për t’i dëgjuar, gjë e cila është profesioni i
psikiatrit, psikologut dhe këshilluesit. Këshillimi është një tregti miliardash
dollarë. Por nuk është se këshulluesit i  këshillojnë apo i drejtojnë njerëzit në
pjesën më të madhe të rasteve. Kryesisht, ajo që bëjnë ata është dëgjimi. Ata
paguhen të bëjnë atë që më parë njerëzit bënin vullnetarisht”.

Kur një grua u ankua se njëzet vjet këshillimi nuk e kishin ndihmuar atë, një mik e
pyeti:

- A ke qenë ndonjëherë në kishë për ndihmë?
- Jo, kisha do vetëm paratë e mia.
- Sa i ke paguar psikologut?
- Kam paguar 60 USD në javë për njëzet vjet me një rrogë prej 2,400 USD në muaj.

60 USD në javë janë 240 USD në muaj. Kjo është e dhjeta e të ardhurave të saj.
Ajo po i jepte të dhjetën këshilluesit të saj por nuk mund t’i jepte të dhjetën kishës.
Dhe pranonte se nuk ishte përmirësuar.

Një grua tjetër kundërshtonte atë që ajo do ta quante standardet e dyfishta të
analistit. “Për gjashtë vjet kam shkuar tek analisti im pesë herë në javë dhe kam
hequr dorë nga kursimet e jetës, si rroba të mira dhe pushimet, për të paguar atë.
Por kur u sëmura dhe mungova në një seancë ndodhi diçka e lezetshme. Analisti
im ngulte këmbë se sëmundja ime ishte një lloj hakmarrje psikosomatike, që unë
po i rezistoja në nënvetëdijen time trajtimit. Sigurisht, gjithmonë më është dashur
të paguaj. Megjithatë, kur ai u largua për të bërë pushimet e tij të zakonshme
njëmujore në gusht, duke më lënë me gisht në gojë, vetëm dhe të pushtuar nga
frika e shumë konflikteve të pazgjidhura, çuditem dhe dua të kuptoj se përse
pushimet e tij nuk ndërprenë analizën time”.

Rollo Mej (Rollo May), një zë drejtues në këtë profesion që në fillimet e tij më vitet
1950, ankohej se psikoterapia është kthyer në përfitim parash dhe në “hile”.
“Psikoterapia” – thotë ai – “është kthyer në tregti, ku ke klientë dhe fiton para”.
Shumë praktikues të saj shpallin se trajtimi, për të qenë i frytshëm, duhet të
përbëjë një sakrificë financiare për “pacientin”. Ky i fundit nuk do të kishte respekt
për të nëse do të ishte pazar. Nuk është për t’u çuditur që njerëzit tallen në këtë
mënyrë: Një nevrastenik  është ai që ndërton kështjella në ajër. Një psikotik është
ai që jeton në to. Një terapist është ai që merr qiranë.

7. Ndonjëherë njerëzit paguajnë shumë lekë për t’u marrë në analizë, kur, në fakt,
kanë nevojë vetëm për një doktor. Gjatë dy vjet këshillimi, një autor ankohej se
shikimi i tij ishte errësuar kur u përpoq të lexonte. Terapisti iu përgjigj se
“paaftësia për t’u përqendruar ishte një sindromë tipike te njerëzit me ankthe të
shumta”. Duke e patur të vështirë për të fituar paratë e mjaftueshme për të paguar
psikologun, iu drejtua okulistit. Ky i fundit i tha se një palë syze për të lexuar do ta
shëronin sindromën. Arriti të shërohej.

8. Këshilluesit e krishterë shpallin se mishërojnë mendimet më të mira të
njerëzve jo të rilindur si Frojdit, Roxherit, Masllout dhe Jungut, me mësimet e
Biblës. Në një kongres rreth këshillimit të krishterë më vitin 1988, Xhej Edëms
(Jay Adams) tha: “Me tërë ç’kam brenda meje ju nxit të hiqni dorë nga detyra e
pafrytshme ndaj të cilës unë i kam shkuar pranë: përpjekjes për të bashkuar të
vërtetën pagane me atë biblike….  Mendoni për milionat e orëve, pjesën më të
madhe të të cilave një brez e ka harxhuar tashmë në këtë detyrë të pashpresë.
Përse nuk ka rezultate të dallueshme? Jua them unë arsyen. Sepse nuk mund të
kryhet… Këshillimi ka të bëjë me ndryshimin e njerëzve. E shikoni, pra, kjo është
puna e Perëndisë”.

9. Edhe në këshillimin më të krishterë psikologjik, lutja nuk pranohet si një
“teknikë” frytdhënëse. Në më të mirin e rasteve tolerohet; në më të keqin e rasteve
lihet pas dore. Janë shumë të paktë terapistët e krishterë të cilët kalojnë kohë të
konsiderueshme lutjeje me klientët e tyre.

A duhet të besojmë se lutja ka vetëm një rëndësi anësore për t’u bërë ballë
problemeve të jetës? A e kemi patur gabim gjatë tërë këtyre viteve duke besuar se,
nëse plotësojmë kushtet e Perëndisë, Ai do t’u përgjigjet lutjeve tona?

10. Në shumë kisha shërbesa është psikologji me një llustrim fjalori biblik.
Njerëzit kërkojnë bukë dhe marrin një gur.

Duhet të shtojmë se psikoterapia përdor shumë drogë (p.sh. valium [diazepam],
prometazinë, zoloft, morfinë, prozak, benzodiazepinat [tamazepam] etj) si e
ashtuquajtura zgjedhje për problemet emocionale. Kjo mohon mjaftueshmërinë e
Krishtit për jetën tonë (2 Pje 1:3). Por akoma më keq, shumë shpesh njerëzit
bëhen skllevër të këtyre drogave pa asnjë përmirësim. Ky është një krim moral.
Besimtarët duhet të refuzojnë çdo lloj përdorimi të drogës në lidhje me problemet
emocionale. Nëse ke një infeksion përdor antibiotikë. Nëse ke një dhembje koke
përdor aspirin. Por, nëse ke shqetësime, mërzitje, probleme emocionale, shko te
Krishti [1].

11. T’i themi gjërat troç, psikoterapia nuk është vërtetuar si e suksesshme dhe në
shumë raste ka qenë e dëmshme.

Në vitet e fundit, disa autorë të guximshëm të krishterë kanë ngritur flamuj
paralajmërues rreth tërë fushës së këshillimit psikologjik. Për shembull:

  • COMPETENT TO COUNSEL, nga J. E. Adams (1970).
  • PSYCHOLOGY AS RELIGION: THE CULT OF SELF WORSHIP, nga Paul C.
    Vitz (1977).
  • THE PSYCHOLOGICAL WAY / THE SPIRITUAL WAY, nga Martin dhe Deidre
    Bobgan (1979).
  • PSYCHOLOGICAL SEDUCTION, nga W. K. Kilpratick (1983).
  • THE SEDUCTION OF CHRISTIANITY, nga David Hunt dhe T. H. MacMahon
    (1985).
  • PSYCHOHERESY, nga Martin dhe Deidre Bobgan (1987).
  • BEYOND SEDUCTION, nga Dave Hunt (1987).
  • PROPHETS OF PSYCHOHERESY, nga Martin dhe Deidre Bobgan (1989).

Kundërshtarët ose i kanë flakur tutje librat me një demonstrim mospërfillës ose i
kanë paditur autorët për përçarje ose gjëra të tjera.

Megjithatë, tani ata duhet të përballen me faktin që njerëz jo të krishterë, që janë
profesionistë në këtë fushë, kanë hedhur dyshime dhe zhgënjime të rënda rreth
psikoterapisë. Këtu janë disa:

  • THE MYTH OF PSYCHOTHERAPY, nga Dr. Thomas Szasz (1978).
  • THE SHRINKING OF AMERICA, nga Barnie Zilbergeld (1983).
  • AGAINST THERAPY: EMOTIONAL TIRANNY AND THE MYTH OF
    PSYCHOLOGICAL HEALING, nga Jeffrey Masson (1988).

Dr. Szasz, një profesor psikiatrie në Universitetin e shtetit të Nju Jorkut, ka qenë
një kritik që ka folur hapur për vite me radhë. Ai e ka quajtur psikiatrinë si pseudo-
shkencë, si astrologjinë apo alkiminë. Ai e quan sëmundjen mendore një mit, një
emërtim i leverdisshëm i përshtatur për të fshehur, dhe si rrjedhim ta bëjë më të
pranueshëm, hapen e hidhur të konfliktit moral në marrëdhëniet njerëzore. Ai
është i mendimit se asnjë formë e sjelljeve jonormale është një sëmundje dhe
kështu trajtimi nuk ka pse të bëhet shqetësimi i një doktori.

Ai shkon madje edhe më tutje. Ai thotë se pjesa më e madhe e procedurave
psikoterapeutike janë të dëmshme për të ashtuquajturit pacientë. “Tërë këto
ndërhyrje dhe propozime të tilla duhet të shihen si të liga derisa të vërtetohet
ndryshe”.

Zilbergeld thotë se është përgjithësisht po aq e dobishme për një të këshilluar t’i
flasë një personi të thjeshtë po aq sa edhe një profesionisti.

Xhefri Mezën (Jeffrey Masson) është diplomuar në Institutin e Psik-analizës të
Torontos dhe anëtar i Shoqërisë Ndërkombëtare Psik-analitike. Ai ka punuar si
Drejtor Projekti i arkivave të Sigmund Frojdit. Në parathënien e librit AGAINST
THERAPY [Kundër Terapisë] ai shkruan: “Ky është një libër që shpjegon se përse
unë besoj se psikoterapia, e çdo forme qoftë, është e gabuar. Edhe pse kritikoj
shumë terapistë dhe terapi, qëllimi im kryesor është të nxjerr në pah se vetë ideja
e psikoterapisë është e gabuar”.

Dr. Hans J. Eysenck, Profesor i Psokologjisë në Universitetin e Londrës, zbuloi se
midis 66% dhe 77% të “pacientëve” nevrastenikë shëroheshin apo
përmirësoheshin në një shkallë të dukshme me apo pa psikoterapinë. Është një
çështje lehtësimi e vetvetishme.

O. Hobart Mowrer, Profesor i Psikologjisë në Universitetin e Illinoisit, ka thënë:
“Ndërsa ora e historisë ka shënuar dhjetëvjeçarët e këtij shekulli, ne kemi zbuluar
shkallë-shkallë se postulati më i madhe i Frojdit (që për tërë sjelljen tonë mund të
fajësohen të tjerët dhe se qëllimi i jetës nuk është të veprojmë moralisht, por të
çlirojmë veten nga faji) na ka hedhur nga tigani në zjarr”.

Pohimi se psikoterapia ka një shkallë të lartë suksesi nuk mbështetet mbi fakte.
Në studimin Kembrixh-Somërvill (Cambridge-Somerville), keqbërës të rinj e të
fuqishëm, që kishin marrë këshillim psikologjik, u bënë më të këqinj sesa grupi
tjetër që nuk kishte marrë këshillim.

Duhet të vihet re gjithashtu se në psikoterapi ka një efekt psikosomatik ose
placebo[2]. “Një pritje e lartë përmirësimi, e nxitur nga premtimi i terapistit që ai
mund ta zgjidhë  problemin me sukses, çon në një ndjenjë rezultatesh të mira dhe
lavdërimi entuziast, megjithëse nuk ka ndryshim të vërtetë”.

Kështu, pra, cili është përfundimi i kësaj çështjeje? Përfundimi është se “një
lëvizje e madhe revolucionare që ka premtuar të shpjegojë në terma shkencorë
tërë sëmundjet nevrastenike dhe të kurojë shumë prej tyre” ka dështuar t’ia dalë
mbanë. Dhe ndërsa shumë praktikues laikë po pranojnë se kurat dhe arritjet
dramatike pothuaj nuk kanë ekzistuar kurrë, kisha ungjillore po rend gjithnjë e më
tepër drejt psikoterapisë në vend të Biblës si panacea [3] shëruese e tensioneve,
anktheve dhe problemeve të tjera.

Le të citojmë Don Hillis përsëri: “Mbase ka ardhur koha që kisha të bëjë një
anketim të besimtarëve rreth faktit se njerëzit fetarë po iu kthehen psikologëve dhe
psikiatërve për ndihmë më tepër se kishës. Mbase dikush duhet të shqetësohet
kur të rinjtë e krishterë mendojnë se mund të bëjnë më tepër për njerëzimin duke
u bërë psikologë dhe psikoterapistë sesa të bëhen barinj dhe ungjilltarë. Mbase
një shqyrtim tjetër i Librit do të zbulojë një psikologji frymërore që do të japë
përgjigje frymërore ndaj nevojave emocionale e mendore për popullin e
Perëndisë”.

Ka vend për këshillim, por ky duhet të jetë ai biblik. Ky nuk duhet të zërë vendin e
Biblës, Frymës së Shenjtë, apo të lutjes. Nuk duhet të justifikojë mëkatin apo të
lehtësojë njerëzit nga përgjegjësitë vetjake.

_______________________
[1] Koment nga G.W.S.

[2] Efekti placebo: përmirësim në gjendjen e një të sëmuri që ndodh si përgjigje
ndaj trajtimit, por nuk mund të konsiderohet për shkak të përdorimit të një trajtimi
të veçantë.

[3] Panacea: bar çudibërës për të gjitha sëmundjet.
Shkarko Adobe Reader
Për të parë skedarë në
formatin PDF, juve ju duhet
programi Adobe Reader. Ju
mund ta shkarkoni atë falas
duke klikuar mbi figurën e
mëposhtme.
PSIKOLOGJIMI I KISHËS
nga William MacDonald

Një ndër femonemet e kohës në të cilën jetojmë është
mënyra se si është futur në kishë psikologjia e botës.
Në kundërshtim me 2 Timoteut 3:16,17 Bibla nuk është
më e mjaftueshme si baza për këshillim. Kemi nevojë
për psikoterapi. Fryma e Shenjtë nuk kërkohet më për
ndryshime të nevojshme në jetët e besimtarëve. Pleqtë
nuk janë më kompetentë për të dhënë këshilla. Ata
duhet t’i drejtojnë njerëzit e tyre te një terapist
profesionist. Dhe kjo ndodh pavarësisht nga fakti që
Perëndia, nëpërmjet Fjalës së Tij dhe me anë të
Frymës, na ka dhënë gjithçka që është e nevojshme për
jetën dhe perëndishmërinë (2 Pjet. 1:3).
Psikologjimi i kishës:
Shkarko PDF
Literaturë > Kisha > Psikologjimi i kishës
Share