1. TRE KOHËT E SHPËTIMIT

Kur bëhemi të krishterë, shumë prej nesh mendojnë vetëm për një lloj shpëtimi:
shpëtimin e shpirtit tonë. Në studimin tonë biblik ne menjëherë mundohemi t’i
japim këtë kuptim sa herë që e gjejmë këtë fjalë. Por shpejt arrijmë të kuptojmë
se kjo fjalë nuk ka gjithmonë të njëjtin kuptim.

Pastaj arrijmë të kuptojmë se shpëtimi është një fjalë shumë e përgjithshme që
nënkupton çlirim, siguri ose shëndoshmëri. Për shembull, në Filipianëve 1:19,
Pali e përdor atë në lidhje me lirimin e pritur nga burgu:

    E di në fakt, se kjo do të dalë për shpëtimin tim, me anë të lutjes suaj dhe
    me ndihmën e Frymës së Jezus Krishtit.

Në Filipianëve 2:12 shpëtimi ka kuptimin e diçkaje krejt të ndryshme; nënkupton
zgjidhjen e një problemi që ka lindur në kishën në Filipi. Një rast serioz i përçarjes
kishte ngjarë (Fil. 2:1-4; 4:2). Pali i kujton të krishterët se përgjigjja ndaj problemit
ishte që ata të gjithë të kishin një frymë të përulur dhe vetë-flijuese të Zotit Jezus.
Pastaj në vargun 12 ai thotë:

    Prandaj të dashurit e mi, ashtu sikur keni qenë gjithnjë të bindur jo
    vetëm kur isha i pranishëm, por edhe më shumë tani që jam larg, punoni
    për shpëtimin tuaj me frikë e me dridhje.

Me fjalë të tjera: «Unë ju kam treguar rrugën e çlirimit nga problemi që ju ka
mbërthyer. Tani punoni për zgjidhjen e tij me frikë e me dridhje».

Në tre pjesë, shpëtimi përdoret për të përshkruar shpëtim nga mbytja:

    Por duke qenë se detarët kërkonin të iknin prej anijes dhe po e ulnin
    sandallin në det gjoja për të hedhur spirancat nga bashi, Pali u tha
    centurionit dhe ushtarëve: «Po nuk qëndruan këta në anije, ju nuk do të
    mund të shpëtoni» (Veprat 27:30, 31).

    Me anë të besimit Noeu, i lajmëruar hyjnisht për ato që ende nuk
    shiheshin, u frikësua dhe ndërtoi një arkë për shpëtimin e shtëpisë së
    tij... (Heb. 11:7).

    ... ai shkoi t'u predikojë frymërave që ishin në burg, që dikur ishin rebelë,
    kur durimi i Perëndisë i priste në ditët e Noeut, ndërsa po ndërtohej
    arka, në të cilën, pak vetë, gjithsejt tetë, shpëtuan nëpërmjet ujit (1 Pje. 3:
    19, 20).

Por përdorimi i fjalëve «shpëtim» ose «i shpëtuar», në të cilat ne jemi të
interesuar, janë ato që kanë të bëjnë me çlirim nga mëkati. Ky është kuptimi më i
zakonshëm në Dhiatën e Re.

Këtu ne duhet të mësojmë të dallojmë tre kohët e shpëtimit—të kryerën, të
tashmen dhe të ardhmen:

E kryer—Jam shpëtuar nga dënimi i mëkatit.
E tashme—Unë po shpëtohem nga fuqia e mëkatit.
E ardhme—Unë do të shpëtohem nga prania e mëkatit.

Koha e kryer

Ja disa vargje që flasin kryesisht për shpëtimin nga dënimi i mëkatit:

    Ju në fakt jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit dhe kjo nuk
    vjen nga ju, po është dhurata e Perëndisë (Ef. 2:8).

    (Perëndia) që na shpëtoi dhe na thirri me një thirrje të shenjtë... (2 Tim. 1:
    9).

    Ai na shpëtoi jo me anë të veprave të drejta që ne bëmë, por sipas
    mëshirës së Tij, me anë të larjes së rilindjes dhe të ripërtëritjes së
    Frymës së Shenjtë (Tit. 3:5).

Shënim: Në të tre këta shembuj fjala «shpëtuar» është në kohën e kryer.
Sidoqoftë, gjenden vargje të tjerë që flasin për çlirimin tonë nga dënimi i mëkatit,
ku folja nuk është në kohën e kryer.

    Dhe në asnjë tjetër nuk ka shpëtim, sepse nuk ka asnjë emër tjetër nën
    qiell që u është dhënë njerëzve dhe me anë të të cilit duhet të
    shpëtohemi (Veprat 4:12).

    Sepse, po të rrëfesh me gojën tënde Zotin Jezus dhe po të besosh në
    zemrën tënde se Perëndia e ngjalli prej së vdekurish, do të shpëtohesh
    (Rom. 10:9).

Kështu ju duhet të dalloni aspektin e shpëtimit nga përmbajtja e vargut më tepër
sesa nga koha e foljes, nëse koha e kryer e shpëtimit është nënkuptuar. Në qoftë
se çështja është për çlirim një herë e përgjithmonë nga mëkati, atëherë ju e dini
se është koha e kryer e shpëtimit.

Koha e tashme

Megjithëse është e vërtetë se jam shpëtuar, është njëlloj e vërtetë se po
shpëtohem ditë për ditë. Unë jam shpëtuar nga mallkimi; unë po shpëtohem nga
pasojat e mëkatit. Unë jam shpëtuar nga dënimi i mëkatit; unë po shpëtohem nga
fuqia e mëkatit. Unë jam shpëtuar nëpërmjet veprës së kryer të Krishtit në Kryq;
unë po shpëtohem nëpërmjet jetës së Tij dhe shërbimit të Tij që Ai bën për mua
në krahun e djathtë të Perëndisë. Për shembull, kjo është çfarë nënkuptohet në
Romakëve 5:10:

    Në fakt, ndërsa ishim armiq, u pajtuam me Perëndinë nëpërmjet vdekjes
    së Birit të Tij, akoma më shumë tani, që jemi pajtuar, do të shpëtohemi
    nëpërmjet jetës së Tij.

Koha e tashme e shpëtimit është e ngjashme me shenjtërimin, d.m.th. procesin e
të qenit i ndarë nga mëkati e ndyrësia për Perëndinë. Ky shpëtim është një proces
në vazhdimësi, për të cilin lexojmë në Hebrenjve 7:25:

Prandaj edhe mund të shpëtojë plotësisht ata që me anë të Tij i afrohen
Perëndisë, sepse gjithmonë rron që të ndërmjetësojë për ta.

Koha e ardhme

Së fundi, është aspekti i ardhshëm i shpëtimit. Kur të takojmë Shpëtimtarin ballë
për ballë ne do të shpëtohemi nga prania e mëkatit. Trupat tanë do të
shpengohen dhe përlëvdohen. Vargjet e mëposhtme përshkruajnë të ardhmen e
lavdishme të shpëtimit tonë.

    ... sepse shpëtimi ynë është më afër, se kur besuam (Rom. 13:11).

    Kurse ne, mbasi jemi të ditës, jemi të esëll, duke veshur parzmoren e
    besimit dhe të dashurisë dhe për përkrenare shpresën e shpëtimit.
    Sepse Perëndia nuk na ka caktuar për zemërim, por për të marrë
    shpëtimin me anë të Zotit tonë Jezu Krisht (1 Thes.5:8, 9).

    ... do të duket për së dyti pa mëkat për ata që e presin për shpëtim (Heb.
    9:28).

    (Ju) që nga fuqia e Perëndisë me anë të besimit jeni të ruajtur, për
    shpëtimin gati për t'u zbuluar në kohët e fundit (1 Pje. 1:5).

Të tri kohët

Në qoftë se keni vështirësi në përshtatjen e një vargu në një nga këto klasifikime,
kujtoni se mund të jetë i zbatueshëm në të tri kohët. Ja dy shembuj:

    ... ti do t'i vësh emrin Jezus, sepse Ai do të shpëtojë popullin e Tij nga
    mëkatet e tyre (Mat. 1:21).

    Në Të edhe ju, pasi e dëgjuat fjalën e së vërtetës, ungjillin e shpëtimit
    tuaj dhe pasi besuat, u vulosët me Frymën e Shenjtë të premtimit (Ef. 1:
    13).

Kështu në këto raste ju nuk duhet të zgjidhni, sepse ato i aplikohen me forcë të
njëjtë të tri fazave të shpëtimit.
Shkarko Adobe Reader
Për të parë skedarë në
formatin PDF, juve ju duhet
programi Adobe Reader. Ju
mund ta shkarkoni atë falas
duke klikuar mbi figurën e
mëposhtme.
Ja dallimi:
Shkarko PDF
JA DALLIMI - nga William MacDonald
Një studim i dallimeve të rëndësishme biblike

Nëse nuk marrim parasysh disa dallime kyç që
ndodhen në Bibël mund të arrijmë në mendime të
turbullta. Dhe kjo është e rrezikshme—madje fatale. Ky
libër do të qartësojë disa nga mësimet më të
rëndësishme të Fjalës së Perëndisë.

JA DALLIMI trajton 96 dallime biblike, ku përfshihen: tri
kohët e shpëtimit, pozita dhe praktika, brendabanimi,
pagëzimi dhe mbushja, Izraeli, Mbretëria dhe Kisha.
Literaturë > Bibla > Ja dallimi
Share