



"Ndodhi që, ndërsa po ecnin rrugës, dikush i tha: «Zot, unë do të të ndjek
kudo që të shkosh». Por Jezusi i tha: «Dhelprat kanë strofka dhe zogjtë e
qiellit fole; kurse Biri i njeriut nuk ka ku ta mbështetë kokën». Pastaj i tha
një tjetri: «Ndiqmë!». Por ai përgjigjej: «Zot, më lejo më parë të shkoj e të
varros atin tim». Jezusi i tha: «Lëri të vdekurit t'i varrosin të vdekurit e vet;
por ti shko dhe prediko mbretërinë e Perëndisë». Akoma një tjetër i tha:
«Zot, unë do të të ndjek ty, por më lejo më parë të ndahem me ata të
familjes sime». Jezusi i tha: «Asnjeri që ka vënë dorë në parmendë dhe
kthehet e shikon prapa, nuk është i përshtatshëm për mbretërinë e
Perëndisë» (Lluka 9:57-62).
Tre burra pa emër erdhën tek Jezu Krishti dhe ishin përballë Atij. Ata ndienin një
detyrë të brendshme për ta ndjekur. Por lejuan që diçka tjetër të vinte midis
shpirtrave të tyre dhe përkushtimit të plotë ndaj Tij.
Zotëria "tepër i shpejtë"
Njeriu i parë quhet «zotëria "tepër i shpejtë"». Ai doli vullnetar për ta ndjekur Zotin
kudo. "Unë do të të ndjek kudo të shkosh." Asnjë çmim nuk do të ishte tepër i
madh. Asnjë kryq nuk do të ishte aq i rëndë. Asnjë udhë nuk do të ishte aq e
vështirë.
Përgjigjja e Shpëtimtarit duket në fillim sikur nuk ka asnjë lidhje me ofertën e
zemrës së hapur të zotërisë "tepër të shpejtë”. Jezusi tha: «Dhelprat kanë strofka
dhe zogjtë e qiellit fole; kurse Biri i njeriut nuk ka ku ta mbështesë kokën». Në të
vërtetë, përgjigjja e Zotit ishte shumë e përshtatshme sepse sikur donte të
thoshte: «Ti thua që je gati për të më ndjekur kudo. Por, a je gati të jetosh pa
luksin material të jetës? Dhelprat kanë më shumë luks material se sa unë. Zogjtë
kanë një fole që mund ta quajnë të tyren. Por unë jam një shtegtar pa shtëpi në
botën që duart e mi krijuan. A je gati të sakrifikosh sigurimin e një shtëpie për të
me ndjekur mua? A je gati të mos shfrytëzosh luksin material të jetës që të më
ndjekësh me përkushtim?»
Siç duket ai njeri nuk ishte gati sepse nuk dëgjojmë më për të në Shkrimet e
Shenjta. Dashuria e tij për gjërat tokësore që lehtësojnë jetën ishte më e madhe
se dashuria e tij për Krishtin!
Zotëria "tepër i ngadalshëm"
Njeriu i dytë quhet «zotëri "tepër i ngadalshëm"». Ai nuk doli vullnetar si njeriu i
parë, por Shpëtimtari e thirri të jetë një dishepull. Përgjigjja e tij nuk ishte një
refuzim i hapur, as nuk ishte një përgjigje që tregoi se ai nuk kishte asnjë interes.
Përkundrazi, kishte diçka që ai donte të bënte para se të ndiqte Krishtin. Ky ishte
mëkati i tij i madh. Ai vuri dëshirat e tij përpara dëshirave të Krishtit. Dëgjo
përgjigjjen e tij: «Zot, më lejo më parë të shkoj e të varros atin tim».
Pa diskutim, është e mirë dhe e lejueshme që një djalë të respektojë prindërit e
tij. N.q.s. babai ka vdekur, është brenda kufijve të besimit të krishterë që ai të
varroset me dinjitet.
Por gjërat e lejueshme të jetës bëhen mëkat kur ato kanë të drejtë mbi interesat e
Krishtit. Qëllimi i vërtetë i këtij njeriu zbulohet nga kërkesa e hapur: «Zot më lejo
më parë...». Fjalët e tjera që ai tha ishin një maskim thjesht për të fshehur
dëshirën e brendshme të tij për të vendosur vetveten para së gjithash.
Siç duket ai nuk e kuptoi që fjalët «Zot më lejo më parë...» janë një absurditet
moral dhe pamundësi. Nëse Krishti është Zot, atëherë Ai duhet të jetë i pari. Nëse
përemri vetor "unë" është mbi fron, atëherë Krishti nuk ka kontroll mbi jetën tënde.
Zotëria "tepër i ngadalshëm” kishte një punë për të kryer dhe lejoi punën e tij të
jetë e para. Pra, ishte shumë e përshtatshme që Jezusi i tha: «Lëri të vdekurit t'i
varrosin të vdekurit e vet; por ti shko dhe prediko mbretërinë e Perëndisë». Fjalët e
tij mund t’i shpjegojmë kështu: «Janë disa gjëra që ata të cilët janë të vdekur
shpirtërisht mund t’i bëjnë po aq mirë sa edhe besimtarët. Por janë gjëra të tjera
në jetë që vetëm besimtarët mund t’i bëjnë. Ki kujdes të mos e harxhosh jetën
tënde duke bërë gjërat që një jobesimtar mund t’i bëjë. Lëri të vdekurit shpirtërorë
t'i varrosin të vdekurit shpirtërorë. Por ti, si qëllimin e jetës sate, përhap çështjen
Time mbi dhe».
Duket që çmimi ishte tepër i lartë për zotërinë "tepër i ngadalshëm”. Ai kaloi nga
faqet e Shkrimeve të Shenjta në heshtje të panjohur.
N.q.s. njeriu i parë përfaqëson pengesën e gjërave tokësorë që lehtësojnë jetë, i
dyti përfaqëson pengesën e një pune ose një karriere që zëvendëson qëllimin
kryesor të ekzistencës së një besimtari. Nuk ka asgjë të keqe në një punë të
zakonshme. Është vullneti i Perëndisë që një njeri të punojë që të kujdeset për
nevojat e tij dhe të familjes së tij. Por, jeta e një dishepulli kërkon që mbretëria e
Perëndisë dhe drejtësia e Tij të kërkohen para së gjithash. D.m.th. një besimtar
nuk duhet ta harxhojë jetën e tij duke bërë ato gjëra që një jobesimtar mund t’i
bëjë. Qëllimi i një pune është të furnizojë nevojat e tanishme kurse qëllimi i një
besimtari është predikimi i mbretërisë së Perëndisë.
Zotëria "tepër i lehtë"
Njeriu i tretë quhet «zotëri "tepër i lehtë"». Ai i ngjan njeriut të parë sepse doli
vullnetarisht për të ndjekur Zotin. Ai i ngjan edhe njeriut të dytë sepse përdori fjalët
kontradiktore «Zot më lejo më parë…». Ai tha «Zot, unë do të të ndjek ty, por më
lejo më parë të ndahem me ata të familjes sime».
Përsëri duhet të pohojmë që nuk është kundër ligjit të Perëndisë që një besimtar t’
i tregojë të afërmve të tij dashuri kur duhet të largohet prej tyre. Çfarë gabimi, pra,
bëri ai? Çfarë pike të provës nuk kaloi? Gabimi i tij ishte që ai lejoi lidhjet familjare
natyrore të zëvendësojnë Krishtin.
Me anë të perceptimit parashikues Zoti Jezus tha «Asnjeri që ka vënë dorë në
parmendë dhe kthehet e shikon prapa, nuk është i përshtatshëm për mbretërinë e
Perëndisë». D.m.th. «Dishepujt e mi nuk janë nga ai lloj egoistësh të dhjamosur
që je ti. Unë dua ata që janë gati të braktisin lidhjet familjare, që nuk do të tërhiqen
nga lidhjet sentimentale, ata që do të më vënë mbi çdo njeri në jetën e tyre».
Ne duhet të arrijmë në konkluzionin që «zotëria "tepër i lehtë» e braktisi Jezusin
dhe u largua me trishtim. Dëshira e tij për të qenë një dishepull u bë copë-copë
mbi gurët e lidhjes familjare. Ndoshta shkaku ishte një nënë që tha duke derdhur
shumë lotë «Ti do të thyesh zemrën e nënës sate n.q.s. do të më lësh për të
shkuar si një misionar.». Ne nuk e dimë shkakun, por dimë që Bibla e fsheh nga
mirësia emrin e këtij njeriu zemërpulë që duke u kthyer humbi mundësinë më të
madhe të jetës së tij dhe fitoi këtë epitaf: «nuk është i përshtatshëm për
mbretërinë e Perëndisë».
Përmbledhje
Këto, pra, janë të tria pengesat më të mëdha kundër atyre që kanë dëshirë për të
ndjekur Krishtin. Ato janë ilustruar nga tre burra të cilët nuk ishin gati për ta ndjekur
Zotin Jezus Krisht deri në fund.
Zotëria "tepër i shpejtë" kishte dashurinë e gjërave tokësore.
Zotëria "tepër i ngadalshëm" kishte më shumë dashuri për punën e tij se për
Krishtin.
Zotëria "tepër i lehtë" ishte penguar nga lidhjet familjare.
Megjithatë thirrja e Zotit Jezus është e përjetshme dhe vazhdon deri tani. Ai akoma
kërkon meshkuj dhe femra për ta ndjekur heroikisht dhe me sakrificë. Gjithashtu
rrugëdaljet vazhdojnë të ekzistojnë dhe shfaqen me këto fjalë të ëmbla «Shpëto
vetën! Largohu prej saj!»
Pak janë gati për të pranuar këtë thirrje.
Jezus, kryqin tim unë e kam marrë,
të gjithë të braktis për të të ndjekur
Jam i zhveshur, i varfër, i përbuzër, i braktisur,
por që tani e tutje ti je gjithçka për mua.
Largo nga unë çdo dëshirë të dashur:
gjithçka që kam kërkuar, kam shpresuar, ose kam njohur.,
Sa e pasur është gjendja ime,
Perëndia dhe qielli janë të mijët.
Le të më urrejë bota dhe të më braktisë bota sepse
e kanë braktisur gjithashtu Shpëtimtarin tim.
Zemrat dhe pamjet njerëzore shikime më mashtrojnë,
por Ti nuk je si ato, të rremë.
Oh, megjithëse armiq mund të më urrejnë dhe miq mund të më braktisin,
Ti më buzëqesh,
Ti Perëndi i urtësisë, dashurisë, dhe fuqisë.
Zbulo fytyrën tënde dhe gjithçka ndriçon.
- H.F. Lyte



Për të parë skedarë në
formatin PDF, juve ju duhet
programi Adobe Reader. Ju
mund ta shkarkoni atë falas
duke klikuar mbi figurën e
mëposhtme.
Pengesat ndaj dishepullit
Kushdo që fillon të ndjekë Krishtin mund të jetë i sigurt
që shumë pengesa do të dalin para tij. Atij do t'i jepen
shumë mundësi për t’u kthyer prapa. Zëra të tjerë do ta
thërrasin duke premtuar për të prerë disa centimetra
nga kryqi. Dymbëdhjetë legjione engjëjsh qëndrojnë gati
për ta tërhequr nga rruga e vetëmohimit dhe sakrificës.
Kjo është ilustruar në historinë e tre të ashtuquajturve
dishepuj të cilët lejuan që zëra të tjerë të dilnin mbi zërin
e Krishtit.
DISHEPULLIMI I VËRTETË
nga William MacDonald