



Asgjë tjetër nuk mund t' i sjellë një të krishteri gëzim më të madh sesa vlerësimi i
Zotit Jezu Krisht, si karakteri i tij ashtu dhe veprat (Hebrenjve 3:1; 12:1-3). Kur i
përqendrojmë sytë tanë tek ai që është Shpëtimtari dhe Zoti ynë, na forcohet
besimi, na ngrohen zemrat dhe marrim kurajë për më shumë qëndrueshmëri dhe
shërbesë.
Bibla e bën plotësisht të qartë se Zoti Jezu Krisht është plotësisht Perëndi dhe
plotësisht njeri. Në personin e tij bashkohen në mënyrë të pandashme dy natyra të
dallueshme, njerëzorja dhe hyjnorja. Për të qenët e tij Perëndi, pra për natyrën e tij
hyjnore, nuk na lihet asnjë dyshim:
- Ai quhet Perëndi (Gjoni 1:1; Hebrenjve 1:8; Isaia 9:6; 1 Gjonit 5:20)
- Vargjet që i referohen Zotit (Jehovës) ne Dhiatën e Vjetër, i aplikohen atij
(Lluka 1:76; 3:4 [Isaia 40:3]; Filipianëve 2:10-11 [Isaia 45:18, 23])
- Ai përvetëson emrin UNË JAM (Gjoni 8:58-59)
- Ai përshkruhet me fjalë të cilat mund t'i aplikohen vetëm Perëndisë (i
gjithëditshëm: Gjoni 2:25; i përjetshëm: Zbulesa 22:13; i pandryshueshëm:
Hebrenjve 13:8);
- Ai bën në emër të tij gjëra që vetëm Perëndia mund t'i bëjë (Gjoni 1:3; 6:4-
14; 11:43-44)
- Ne duhet ta adhurojmë (Gjoni 20:28; Mateu 28:17; Zbulesa 1:5-6)
Dhe, pa pushuar së qeni plotësisht Perëndi, u bë plotësisht njeri (Gjoni 1:14); ai u
ngjiz nga Fryma e Shenjtë, u lind nga një virgjëreshë. Mishërimi i tij, siç quhet
zakonisht marrja prej tij e një natyre njerëzore, është për ne një mister i madh (1
Timoteut 3:16), dhe ajo u bë e mundur me anë të një mrekullie. Jezusi nuk pati
baba njerëzor por natyrën e tij njerëzore e mori nga Maria, nëna e tij. Ajo e ngjizi
atë ndërsa ishte ende virgjëreshë (Mateu 1:18-23; Lluka 1:27,34), si rezultat i një
mrekullie të Frymës së Shenjtë në të (Lluka 1:35; Mateu 1:18).
Kështu që ai u bë, dhe mbetet, plotësisht njerëzor:
- Ai ka një trup njerëzor, shpirt njerëzor, vullnet njerëzor, mendje njerëzore,
ndjenja njerëzore; ai u bë si ne në çdo mënyrë (Hebrenjve 2:14,17)
- Ai u rrit në këtë botë që nga fëmijëria derisa u bë i pjekur në moshë, njohu
jetë familjare dhe miqësi, uri dhe etje, lodhje dhe vetmi, trishtim por edhe
lumturi (Lluka 2:41-52; Mateu 4:2; Gjoni 19:28; 4:6; Mateu 26:40; Gjoni 11:
3,5,35; Lluka 10:21)
- Ai e provoi vdekjen në gjithë hidhërimin e saj (Hebrenjve 2:9)
Ai e njeh të gjithë shtrirjen e përvojës njerëzore dhe është në gjendje që t'i vijë keq
për ne plotësisht në të gjitha gjërat që vuajmë, dhe të na ndihmojë kur i thërrasim
atij (Hebrenjve 2:18; 4:15). Megjithatë në një gjë ai ndryshon plotësisht nga ne.
Gjatë gjithë jetës së tij në tokë, megjithëse u tundua në çdo mënyrë, ai nuk
mëkatoi asnjëherë, në bindje ndaj Atit (Hebrenjve 4:15; 7:26; Gjoni 17:4).
Ungjijtë që na tregojnë për ngjarjet e jetës dhe vdekjes së tij kanë regjistruar për
ne edhe shumë gjëra që tha Jezusi. Ai foli si askush tjetër më parë (Gjoni 7:46).
Ndryshe nga mësuesit çifutë të sinagogës së asaj kohe, të cilët u referoheshin
gjithmonë interpretimeve të traditës kur ata trajtonin Dhiatën e Vjetër, ai mësoi me
autoritet. Nuk është për t'u habitur që kjo ishte gjëja më e spikatur në shërbimin e
tij të mësimit (Mateu 7:28-29), sepse ai mësoi vetëm atë që i kishte dhënë Ati
(Gjoni 7:16-17; 8:26-28). Të gjitha fjalët e tij janë të vërteta; ne duhet ta dëgjojmë
me kujdes dhe të bëjmë atë që thotë ai (Mateu 17;5; 7:24-27; 12:46-50).
Erdhi dita kur ai vdiq; u kryqëzua. Por, edhe vdekja e tij, megjithëse e tmerrshme,
ishte pjesë e planit të Perëndisë për të - dhe për ne (Veprat e Apostujve 2:23; 4:27-
28)! Në kryq, ai vdiq në vend të mëkatarëve. Kjo ishte simbolizuar nga flijimet e
Dhiatës së Vjetër në të cilat kafshët flijoheshin në vend të njerëzve mëkatarë, duke
mbajtur mëkatet që ishin vendosur në to (Levitiku 1:4). Jezusi u bë zëvendësuesi i
mëkatarëve dhe vdiq, duke mbajtur ndëshkimin e Perëndisë për mëkatin e tyre
(Isaia 53:46: Gjoni 1:29; 1 Kor. 15:3; 1 Pjetrit 2:24). Drejtësia e Perëndisë kërkon
vdekjen e mëkatarit (Romakëve 6:23; Ezekieli 18:20), por dashuria e Perëndisë ka
bërë që në vendin tonë të vdesë Biri i tij (Romakëve 5:8). Në kryq takohen drejtësia
me dashurinë (shih tek Psalmi 85:10), dhe të dyja shihen në shprehjen e tyre më
të plotë.
Ajo që ka bërë për ne Jezu Krishti me vdekjen e tij përshkruhet në mënyra të
ndryshme në Bibël, dhe fjalë të ndryshme përdoren për të nxjerrë në pah
domethënien e plotë të shpëtimit të tij. Njëra nga këto fjalë është 'shpengimi', që
do të thotë çlirim nga pagesa e një çmimi. Ne botën e lashtë kjo fjalë përdorej
shpesh për skllevërit kur liroheshin. Ata shpengoheshin, pra çliroheshin, sepse
ishte paguar çmimi. Të gjithë të krishterët ishin më parë skllevër të mëkatit (Gjoni
8:34), por Jezu Krishti i ka çliruar (Gjoni 8:36), duke i shpenguar me anë të gjakut
të tij. Fjala 'gjak' ka edhe një kuptim të veçantë në Bibël. Jeta është në gjak
(Levitiku 17-11, 14), kështu që derdhja e gjakut do të thotë marrje e jetës në
mënyrë të dhunshme (Zanafilla 9:6; 4:10-11). Për më tepër, Perëndia e dha
gjakun e kafshëve që të përdorej në flijime si një pagesë për shpengim (Levitiku
17:11 - bën shlyerje do të thotë tekstualisht "paguan shpengim"). Derdhja e
dhunshme e gjakut të Krishtit në vdekjen e tij është çmimi që na çliroi nga mëkati
dhe të gjitha pasojat e tij (Efesianëve 1:7; 1 Pjetrit 1:18-19; Galatasve 3:13; Mateu
20:28). Ne jemi blerë me një çmim; dhe çfarë çmimi! Ne nuk i përkasim me
vetvetes; ne jemi të Perëndisë dhe duhet që ta përlëvdojmë atë me trupat tanë (1
Korintasve 6:19-20).
Jezu Krishti vdiq - por ditën e tretë ai u ngjall nga të vdekurit. Ati e pranoi flijimin e
tij, dhe për të treguar se çmimi i mëkatit u pagua një herë e përgjithmonë, Jezusi u
ngjall nga të vdekurit, për të mos vuajtur apo vdekur më (Hebrenjve 10:11-14;
Zbulesa 1:18). Vetë ideja e ngritjes ka të bëjë në radhë të parë me trupin. Shpirti i
tij nuk vdiq; ai ia besoi atë Atit. Kështu që në Bibël ringjallja nuk do të thotë, siç
sugjerojnë disa, se shpirti i Jezusit vazhdoi të jetojë dhe në një farë mënyre ishte
në dispozicion të dishepujve të tij pas vdekjes; ringjallje do të thotë që trupi i tij u
ringjall në jetë dhe në plotësinë e personit te tij Jezusi u kthye tek dishepujt (Mateu
28:5-6; Lluka 24:38-39; Gjoni 20:17, 24-29; 1 Korintasve 15:3-20).
Pasi u dha dishepujve një dëshmi të bindshme për ringjalljen e tij, dhe pasi u
mësoi shumë gjëra që ata nuk mund t'i kuptonin më parë (Veprat 1:3), në trupin e
tij të ringjalljes Jezusi u ngrit në qiell (Lluka 24:50-51; Veprat 1:9-11. Vini re se ai
nuk e la mënjanë natyrën e tij njerëzore kur u ngrit në qiell; në trupin e tij - të
ringjallur, të përlëvduar, të përshtatur për qiellin (Filipianëve 3:21; 1 Korintasve 15:
43-49) - ai ka shkuar në të djathtën e Atit ku adhurohet si Zot i të gjithëve (Mateu 28:
18; Efesianëve 1:20-23; Filipianëve 2:9-11).
Megjithëse vepra e plotësimit të shpëtimit ndodhi në tokë dhe nuk ka nevojë që të
përsëritet apo t'i shtohet ndonjë gjë, Zoti Jezu Krisht ka ende një shërbesë për
hirin tonë në qiell. Ai ndërmjetëson për popullin e tij në praninë e Atit (Hebrenjve 7:
25). Nuk duhet që ta mendojmë shërbesën e tij si një lutje për faljen tonë - Ati nuk
ka nevoje që të bindet për të vazhduar të na falë. Përkundrazi, vetë shtagja e
Krishtit (Hebrenjve 9:24) si ai që bëri flijimin e përkryer për mëkatet tona është
premtimi dhe garancia për praninë tonë te Perëndia. Mendoni! Qengji që u ther
për ne është në qendër të fronit te qiellit (Zbulesa 5:6)!
Gabimet dhe herezitë në lidhje me personin dhe veprën e Zotit tonë Jezu Krisht
janë shumë serioze (Gjoni 8:24; 2 Gjonit 7-9), dhe nuk janë të pakta. Për këtë
arsye është e rëndësishme që ta lexojmë Biblën me kujdes, dhe të mbahemi fort
pas të vërtetave që shfaqen në lidhje me këtë temë. Ne duhet ta nderojmë
Krishtin, duke i dhënë atij vendin që i përket në zemrat dhe mendjet tona.
Gjithashtu duhet që të jemi të aftë që t'i ndihmojmë besimtarët e turbullt dhe pa
përvojë dhe t'i kundërshtojmë gabimet ndaj të cilave ata mund të jenë të
ekspozuar.
Sa i mrekullueshëm është Jezu Krishti; sa i mrekullueshëm është hiri që ka
treguar për ne! Simon, i tha Pjetrit Jezusi, a më do? Zot, iu përgjigj Pjetri, ti di çdo
gjë, ti di se unë të dua (Gjoni 21:17). Po ti?



Për të parë skedarë në
formatin PDF, juve ju duhet
programi Adobe Reader. Ju
mund ta shkarkoni atë falas
duke klikuar mbi figurën e
mëposhtme.
KRISHTI
nga libri "Çfarë besojnë ungjillorët"
Zoti Jezus Krisht është plotësisht Perëndi dhe plotësisht
njeri. U ngjiz nga Fryma e Shenjtë, u lind nga një
virgjëreshë, dhe bëri një jetë pa mëkat në bindje ndaj
Atit. Ai mësoi me autoritet dhe të gjitha fjalët e tij janë të
vërteta. Në kryq, ai vdiq në vend të mëkatarëve, duke
mbajtur ndëshkimin e Perëndisë për mëkatin e tyre,
duke i shpenguar (çliruar) ata me anë të gjakut të tij. Ai u
ngjall nga të vdekurit dhe u ngrit ne qiell me trupin e tij të
ringjalljes ku adhurohet si Zot i të gjithëve. Jezusi
ndërmjetëson për popullin e tij në praninë e Atit.