Ne hedhim vështrimin nga Perëndia që të na bekojë dhe shpresojmë e lutemi që
Ai ta bëjë këtë gjë, sidomos kur kemi ndonjë nevojë tw ngutshme. Po kush
mendon ndonjëherë të bekojë Perëndinë? Megjithatë përdorimi i përsëritur i kësaj
shprehjeje në Shkrimet e Shenjta e bën të qartë që ne duhet të veprojmë kështu;
dhe që duhet të përfshihet diçka më tepër se fjalët e lavdërimit – Perëndia duhet të
bekohet vërtet me një dhuratë nga njeriu që është e një vlere të madhe. Megjithatë
përshkrimi i Davidit duke bekuar Perëndinë duket se e shpreh këtë përtej aftësive
njerëzore: “Lartojeni Zotin bashkë me mua, dhe të lëvdojnë të gjithë emrin e tij”
(Psa. 34:1-3). Njerëzit e thjeshtë qenkan në gjendje të lartojnë dhe të ngrenë lart
Perëndinë e pafund që i ka sjellë ata në ekzistencë? Kjo duket e pamundur.
Sigurisht duke qenë kaq krijesa për të ardhur keq ne nuk mund të bekojmë
Perëndinë e Shenjtë, Krijuesin e pafund të gjithësisë, i cili ka gjithçka dhe
kontrollon të gjitha! Ne jemi një hiç dhe s’kemi asgjë: gjithçka i përket Perëndisë.
Ashtu si tha Mbreti David përsa i përket ofertave të sjella nga Izraeli për ndërtimin e
tempullit: “... sepse gjithçka që është në qiell dhe mbi tokë është jotja. E jotja o Zot
është mbretëria ... të gjitha gjërat vijnë nga ti ... O Zot, Perëndia ynë, tërë ky bollëk
gjërash që kemi përgatitur për të të ndërtuar një tempull ty, në emrin tënd të
shenjtë, vjen nga dora jote, është e tëra jotja” (1 Kro. 29:11, 14, 16). Ne mund t’i
japim Perëndisë vetëm çfarë Ai na ka dhënë neve në hirin dhe mëshirën e Tij.
Ashtu si himni thotë:
Asgjë nuk kam fituar, veçse çfarë kam marrë;
hiri ma ka dhënë që kur ma besuar.
Mburrja është përjashtur, krenarinë e ul poshtë,
Jam veç një mëkatar i shpëtuar nga hiri ....
Ky është tregimi im, Perëndisë i qoftë lavdi,
jam veç një mëkatar i shpëtuar nga hiri!
Lakuriq erdhëm ne në këtë botë dhe lakuriq do ta lemë atë (Job. 1:21). Atëherë
çfarë kemi ne tonën që të mund t’ia japim Perëndisë dhe kështu ta bekojmë Atë?
Sigurisht, asnjë gjë! Megjithatë ne lexojmë shumë herë në Bibël për ata të cilët
“bekuan Zotin”, dhe ne, gjithashtu, nxitemi herë pas here të bëjmë të njëjtën gjë.
Për më tepër, gjuha e Shkrimeve të Shenjta duket se do të thotë që secili prej
nesh ka diçka unike që Perëndia e krijoi dhe na e dha neve – diçka tepër të çmuar
që ne duhet t’ia kthejmë vullnetarisht Atij, përndryshe ne humbasim gjithçka!
Dhurata me të cilën ne mund të bekojmë Perëndinë duhet të jetë diçka që Ai nuk
mund ta ketë kurrë ndryshe – diçka që Ai nuk mund ta marrë nga ne dhe që nuk
mund ta krijojë si të Tijën! Dhe duke ia kthyer këtë Perëndisë, ne e lartësojmë, e
madhështojmë dhe e bekojmë Perëndinë.
Ky mësim biblik paraqet një nga mësimet më të fuqishme që secili prej nesh
duhet të mësojë. Sidoqoftë, është për të ardhur keq, por është pikërisht në këtë
pikë që ne përballim një konflikt të thellë midis të krishterëve – një mospajtim
shpërthyes pikëpamjesh mbi sovranitetin e Perëndisë që ne do të donim ta
shmangnim. E megjithatë kjo çështje thelbësore nuk mund të shmanget, pasi ne
e hasim atë gjatë gjithë Shkrimeve të Shenjta. Mospajtimi nuk është mbi faktin
nëse Perëndia është sovran apo jo. Të dyja anët bien dakord që Ai ka qenë
gjithmonë “në kontroll total” të gjithë kësaj gjithësie, që është ende, dhe që do të
jetë gjithmonë. Argumenti (po, për fat të keq, kjo është çfarë kjo bëhet shpesh)
përfshin pyetjen: “Çfarë do të thotë që Perëndia është sovran dhe në kontroll të
gjithësisë së Tij?”
Të krishterët gjejnë ngushëllim të madh duke sjellë ndër mend, sidomos në kohë
fatkeqësie, “Perëndia është ende mbi fron – Ai është në kontroll”. Kjo është e
vërtetë – por siç duket i harruar është fakti që Perëndia ishte mbi fron dhe në
kontroll kur Satani u rebelua dhe mori me vete shumë engjëj. Perëndia ishte pa
dyshim mbi fron dhe në kontroll kur Adami dhe Eva shkelën të vetmin urdhërim që
Ai u kishte dhënë, dhe me anë të mëkatit të tyre me paramendim dhe kryengritës,
sollën vuajtje dhe vdekje mbi të gjithë pasardhësit e tyre deri në këtë ditë. Po
kështu ishte kur Kaini vrau vëllanë e tij, Abelin, me gjakftohtësi, dhe kur “tërë
synimet e mendimeve të zemrës së [njeriut] nuk ishin gjë tjetër veçse e keqja në
çdo kohë ... toka [ishte] plot me dhunë” (Zan. 6:5, 13), dhe ligësia ishte kaq e
madhe që Perëndia u pendua që e kishte krijuar njeriun.
Ne të gjithë biem dakord mbi sovranitetin absolut të Perëndisë, që Ai, në mënyrë
të padiskutueshme, është ende mbi fronin e Tij dhe në kontroll të plotë të
gjithësisë. Megjithatë në të njëjtën kohë, e keqja shtohet ndërkohë që dhimbja,
vuajtja, sëmundja dhe vdekja i rrënon krijesat e bëra në shëmbëlltyrën e Tij dhe
mbi të cilat Ai vajton me dashuri dhe keqardhje. Përsë duhet të ndodhë kështu?
Sigurisht që Perëndia nuk kënaqet që e keqja plaçkit krijimin e Tij! Në fakt, Ai ishte
aq i trishtuar për ligësinë në kohën e Noes sa që Ai do ta kishte shkatërruar
njerëzimin nëse Noeu nuk do të kishte gjetur hir në sytë e Tij. Askush nuk mund të
thotë që fakti i përbotshëm i së keqes që ka mbërthyer të gjithë krijimin si një
murtajë vdekjeprurëse ishte pikërisht ashtu si Perëndia donte të ishte apo që Ai e
kishte paracaktuar këtë të ishe kështu! Ai ka qarë për 3000 vjet për mëkatet e
Izraelit, popullit të tij, duke iu dërguar profetët e Tij ditë dhe natë, vit pas viti, duke i
paralajmëruar ata të pendoheshin që Ai të mos detyrohej të zbraste zemërimin e
Tij mbi ta (Jer. 7:3, 25; 11:7; 25:4, 5; 29:19; 32:33; 35:14, 15; 44:4, etj.), duke iu
lutur pa pushim: “O, mos e bëni këtë gjë të neveritshme që e urrej!”
Sigurisht që, nëse Perëndia e urren mëkatin – dhe Ai e urren – mëkati s’mund të
jetë diçka që Ai e dëshiron. Megjithatë kjo është historia e njerëzimit gjatë gjithë
historisë, ku ligësia vetëm shtohet pavarësisht nga lutjet dhe paralajmërimet e
Perëndisë. Përparimet teknologjike të sotme vetëm sa i japin njeriut një platformë
akoma më të lartë prej nga ku ai mund të shtrëngojë grushtin e tij të vockël në
fytyrën e Krijuesit të tij. Pa dyshim, fakti që Perëndia është mbi fronin e Tij dhe në
kontroll të gjithësisë nuk do të thotë që nuk do të ndodhin rebelime apo që ne nuk
do të kemi sëmundje, dhimbje, brenga, humbje dhe vdekje. Pyetja është, kush
është i gatshëm që t’ia dorëzojë vetveten Perëndisë deri atje sa të thotë me Jobin:
“Megjithëse ai do të më vrasë, përsëri unë do t’i besoj atij ...” (13:15 – NKJV)?
Nuk mund të përfytyrohet ndonjë mospajtim më i madh sesa të thuash që atë
ligësi që Perëndia e urreu në të kaluarën dhe e urren sot ishte, dhe është, çfarë Ai
dëshiroi dhe tani dëshiron për njerëzimin. Kush guxon të thotë që dënimi i
pashmangshëm dhe mundimet e përjetshme të miliardave prej krijesave të Tij në
Liqenin e Zjarrit që shenjtëria dhe drejtësia e Tij kërkonin është pikërisht ashtu si
Perëndia e dëshiroi të ishte?! Megjithatë ka nga ata të cilët thonë pikërisht këtë,
duke shpallur që Perëndia nuk i do të gjithë apo nuk do që të gjithë të shpëtohen,
që Krishti nuk vdiq për të gjithë dhe që Perëndia i paracaktoi këta miliarda që të
vuajnë përjetësisht. Ata që mësojnë këtë janë njerëz të sinqertë dhe kanë qëllime
të mira, por ata janë duke e nxjerrë Perëndinë si jo shumë të dashur dhe të
mëshirshëm sesa ne presim nga njeri-tjetri.
Si e justifikojnë ata këtë doktrinë? Ithtarët e saj besojnë me zell që janë duke
mbrojtur sovranitetin e Perëndisë. Duke mos arritur të kuptojnë që e keqja është
diçka që Perëndia e lejon por nuk e dëshiron, ata gabimisht supozojnë se nëse
ndonjë gjë mund të ndodhë (e mirë apo e keqe) që Perëndia nuk ka vendosur, kjo
do të thotë që Ai nuk ishte sovran. Ata nuk pranojnë të marrin parasysh faktin e
qartë (që mbështetet nga qindra vargje biblike) që, në sovranitetin e Tij, Perëndia i
dha njeriut fuqinë dhe përgjegjësinë morale për t’iu bindur apo për të mos iu
bindur Atij, për ta dashur apo urryer Atë. Po të mos ishte kjo e vërtetë, bindja dhe
shpërblimi, mosbindja dhe ndëshkimi, dashuria dhe urrejtja – dhe një pjesë e
madhe e vetë Biblës – nuk kanë kuptim.
Fakti që Perëndia është sovran nuk do të thotë me domosdo që asgjë që Ai nuk e
dëshiron nuk mund të ndodhë. Nëse do të ishte kështu, atëherë ne duhet të
nxjerrim përfundimin që Perëndia dëshiron po atë të keqe që Ai edhe e urren – një
kontradiktë kjo e qartë jo vetëm në anën logjike por edhe në vetë natyrën e saj.
Ngatërresa në këtë pikë justifikon ankesën përqeshëse të ateistit i cili thotë se
nuk mund të besojë në Perëndinë për shkak të së keqes: “Nëse Perëndia juaj nuk
mund të ndalojë të gjithë vuajtjet dhe çdo të keqe, Ai është tepër i dobët për të
qenë Perëndi. Dhe nëse Ai mundet, por nuk e bën, Ai është një përbindësh që nuk
e meriton besimin tonë!”
Për këtë situatë të vështirë është, patjetër, vetëm një përgjigje e qartë dhe vetëm
një: që Perëndia në sovranitetin e Tij i ka dhënë njerëzimit fuqinë e vërtetë të
zgjedhjes së lirë dhe nuk do t’ia marrë mbrapsht. Perëndia mund të bëjë presion,
të bindë apo të lutet me njeriun, por Ai nuk mund ta detyrojë atë kundër vullnetit të
tij përndryshe Ai do të shkatërronte po ato krijesa që Ai edhe i bëri. Kujto këtu
shkëmbimin e letrave mbi masakrën kolumbiane:
I dashur Perëndi, përse nuk i shpëtove nxënësit në Litëllton, Kolorado?
Sinqerisht, një student i interesuar.
I dashur student i interesuar: Unë nuk lejohem në shkolla. Sinqerisht, Perëndia.
Kjo botë mëkati, vuajtjeje dhe vdekje nuk është vepër e Perëndisë; është ajo çfarë
njeriu, që është përgjegjës moralisht, ka bërë në mënyrë të papërgjegjshme në
kundërshtim me vullnetin e Perëndisë. Ndrysh përse do të na mësonte Jezusi të
luteshim: “U bëftë vullneti yt në tokë si në qiell” (Mat. 6:10)? Përse do të ishte një
gjë e rekomandueshme për t’iu dorëzuar Perëndisë me këto fjalë: “Mos u bëftë
vullneti im, por yti” (Llu. 22:42), nëse sido që të jetë s’mund të ndodhë gjë tjetër
veçse vullneti i Perëndisë?
Nëse do të ketë patur ndonjëherë të rinj që t’i jenë nënshtruar vullnetit të
Perëndisë, ata ishin pesë misionarët që u martirizuan nga indianët Auka më 8
janar të vitit 1956. Himni i tyre ishte: “Ne mbështetemi në ty, mburoja dhe
mbrojtësi ynë. Ne nuk shkojmë vetëm të ndeshemi me armikun. Të fortë në forcën
tënde, të sigurt në lundrën tënde, Ne mbështetemi në ty, dhe në Emrin tënd ne
shkojmë”. Gruaja im dhe unë qëndruam te pianoja bashkë me Xhim Eliotin, Pete
Flemingun dhe Edi MekKulin mbas drekës së një të diele në shtëpinë e dajës së
Xhimit dhe, bashkë me Marilou MekKulin duke na shoqëruar, kënduam së bashku
këtë këngë besimi dhe lavdërimi. Ishte lamtumira tonë për Xhimin dhe Peten pak
para se ata të lundronin për në Ekuador. Edi dhe gruaja e tij qëndruan edhe për
disa muaj të tjerë për të mbaruar një kurs mjekësor për misionarët përpara se të
bashkoheshin përsëri me Xhimin dhe Peten.
Edi ishte miku im më i ngushtë. Ishte një goditje pothuajse shpartalluese kur
morëm vesh për vdekjen e këtyre tre ushtarëve të kryqit (së bashku me dy të tjerë
të cilët ne nuk i njihnim) të cilët e kishin lënë veten e tyre në duart e dashura të
Perëndisë. Fakti që Perëndia ishte mbi fronin e Tij dhe në kontroll nuk e
parandaloi, si mund ta quajmë, këtë fatkeqësi të tmerrshme në atë kohë – por i
solli shumë lavdi Emrit të Tij dhe shumë shpirtra të shpenguar në familjen e Tij në
vitet në vazhdim.
Perëndia nuk mund t’i detyronte këta të rinj të kënaqeshin në vullnetin e Tij madje
deri në vdekje – ky ishte pasioni i zemrave të tyre. Dhe as nuk mund të na detyrojë
neve që kemi mbetur për ta lavdëruar Atë pavarësisht nga fakti që ne nuk mund ta
kuptojmë, apo për t’i besuar Atij që të sjellë të mirën nga e keqja. Lavdërimi dhe
besimi ynë ku ne i dorëzohemi Atij ishin diçka që Perëndia nuk mund t’i merrte ato
nga ne, por që e bekuan Atë kur ne me dëshirë ia dhamë Atij. Perëndia ishte
lartësuar dhe ngritur lart nga dhënia me gëzim e zemrave tona në bindje të
vullnetit të Tij, duke besuar që Ai e di se çfarë është më e mirë.
Përdorimi i parë i shprehjes: “Beko Zotin”, është një thirrje që i bëhet Izraelit: “Kur
ta kesh ngrënë dhe të jesh ngopur, atëherë ti do të bekosh Zotin Perëndinë tënd,
për shkak të vendit të bukur që të ka dhënë” (LiP. 8:10 – NKJV). Me fjalë të tjera,
ne duhet t’i japim Perëndisë falenderimet mirënjohëse që Ai meriton për dhuratat
që na ka bërë. Kjo nuk duhet të jetë lavdërim sa për formë, një formulë e përsëritur
për të marrë më shumë bekime. Falenderimi duhet të dalë sinqerisht nga zemra
me varësi dhe besim të plotë duke qenë të vetëdijshëm për padenjësinë tonë.
Mirënjohja e përzemërt që e lavdëron Atë për atë që Ai është dhe për çfarë Ai ka
bërë – kur në të njëjtën kohë pranon që ne nuk meritojmë as më të paktën e
mëshirave të Tij – nuk mund të programohet apo të detyrohet nga Perëndia. Një
lavdërim i tillë duhet të vijë nga zemrat tona. Kështu ai është diçka e jona me të
cilën secili prej nesh mund të bekojë Perëndinë në shpërblim të bekimeve të Tij të
mëdha ndaj nesh.
Davidi i bëri thirrje popullit të Izraelit që të siguronin materialet e nevojshme për
ndërtimin e Tempullit. Kur ai pa që ata i sollën Zotit me bollëk dhe “me gjithë
zemër [ai] u gëzua shumë [dhe] bekoi Zotin përpara tërë asamblesë [duke thënë]:
“I bekuar qofsh, o Zot, Perëndi i Izraelit, ati ynë, për gjithë amshimin. Jotja, o Zot,
është madhështia, fuqia, lavdia, shkëlqimi, madhëria, sepse gjithçka që është mbi
qiell dhe mbi tokë është jotja. E jotja o Zot është mbretëria, dhe ti ngrihesh sovran
mbi gjithçka ... Prandaj ne, o Perëndia ynë, të falenderojmë dhe kremtojmë emrin
tënd të lavdishëm ... sepse të gjitha gjërat vijnë nga ti, ti provon zemrën dhe
gëzohesh kur shikon sjelljen e drejtë” (1 Kro. 29:9-27).
Në ripërtëritjen gjatë kohës së Nehemias, levitët urdhëruan popullin: “Çohuni dhe
bekoni Zotin, Perëndinë tuaj, nga përjetësia në përjetësi! Qoftë i bekuar emri yt i
lavdishëm, që lartësohet mbi çdo bekim dhe lavdim! ... Ti je Zoti, Perëndia që ka
zgjedhur Abramin ... dhe i dhe emrin Abraham ... dhe bëre një besëlidhje me të
për [t’i] dhënë ... vendin e Kananejve, të Hitejve ... ti e mbajte fjalën tënde ...” (Neh.
9:5-8). Më pas vjen një recitim i gjatë se si Perëndia i nxori izraelitët nga Egjipti, si i
ndihmoi ata në shkretëtirë pavarësisht nga rebelimi i tyre dhe si i solli ata në
Tokën e Premtuar; si ata nuk u bindën, si u kthyen, s si pastaj u rebeluan përsëri,
si morrën pjesë në idhujtari, se si u falën dhe u kthyen – dhe ky cikël duke
vazhduar derisa Perëndia, jashtë dëshirës së Tij, i gjykoi ata rëndë. Vetë fakti i
pranimit të Perëndisë i lutjeve të Tij këmbëngulëse vit pas viti dhe i drejtësisë së
Tij duke gjykuar mëkatin e Izraelit i sjell Atij një bekim që Ai nuk mund ta marrë me
detyrim nga askush. Bekimi duhet të ofrohet me dëshirë nga zemra.
Vazhdimisht Davidi ishte duke nxitur si vetveten ashtu edhe tërë Izraelin për “të
bekuar Zotin”. Ai shpalli: “Në kuvende unë do të bekoj Zotin” (Psa. 26:12), duke
treguar se bekimi që ne i japim Zotit duhet të jepet jo vetëm nga zemra, por duhet
të bëhet edhe në publik gjithashtu. Gjithashtu, ne duhet ta bekojmë Zotin
vazhdimisht. Davidi është përsëri shembulli ynë: “Unë do ta bekoj Zotin në çdo
kohë; lëvdimi i tij do të jetë gjithnjë në gojën time. Shpirti im do të krenohet në
Zotin; njerëzit e përulur do ta dëgjojnë dhe do të gëzohen. Lartojeni Zotin bashkë
me mua, dhe të lëvdojnë të gjithë emrin e tij” (Psa. 34:1-3).
Sa shpesh “e bekojmë ne Zotin”? Sa shpesh ringjallim ne në kujtesë mënyrat se
si Ai na ka udhëhequr, është kujdesur për ne, na ka ruajtur që të mos binim në
tundim, na ka mbrojtur dhe mbështetur? Sa herë e kemi falenderuar për të gjitha
mëshirat e Tij dhe i kemi thënë se e duam? A e ke bërë ti këtë sot? A ke biseduar
ngrohtësisht me Të nga një zemër që është e tejmbushur me mirënjohje dhe
lavdërim? Kjo e bekon Atë!
Ne e kujtojmë Zotin kur kemi nevoja dhe i thërrasim Atij që të na bekojë – por ne a
kujtohemi që ta bekojmë Atë kur çdo gjë shkon mirë? Perëndia vajton: “Populli im
më ka harruar nga një numër shumë i madh ditësh” (Jer. 2:32). A është jeta kaq e
zënë që njerëzit e Zotit nuk kanë kohë të lavdërojnë dhe të falenderojnë Zotin nga
zemrat e tyre për mirësinë dhe hirin e Tij?
Apo mos vallë jeta është e mbushur me kaq shumë përpjekje për të siguruar çdo
pasiguri financiare, për të realizuar potencialin tokësor të plotë më të mundshëm
të tyre dhe përfundimisht të dalim në pension sa më rehat, sa që pa e kuptuar ne
jemi duke gjetur shpresën tonë në këtë botë më tepër se në Perëndinë?
Perëndia vajton nëpërmjet Jeremias: “‘Habituni, o qiej, lebetituni dhe
dëshpërohuni shumë’, thotë Zoti. ‘Sepse populli im ka kryer dy të këqija: më ka
braktisur mua, burimin e ujit që rrjedh, për të hapur sterna ... që nuk e mbajnë
ujin’” (Jer. 2:12, 13). Le ta bekojmë Zotin në çdo kohë nga thellësia e qenies sonë!
Kështu ne i sjellim lavdi jo vetëm Perëndisë tonë por bëhemi burime ujërash të
gjalla që gufojmë në jetë të përjetshme, duke u derdhur për të tjerët. THEB





Për të parë skedarë në
formatin PDF, juve ju duhet
programi Adobe Reader. Ju
mund ta shkarkoni atë falas
duke klikuar mbi figurën e
mëposhtme.
BEKO ZOTIN
nga Dave Hunt
Ne hedhim vështrimin nga Perëndia që të na bekojë
dhe shpresojmë e lutemi që Ai ta bëjë këtë gjë,
sidomos kur kemi ndonjë nevojë të ngutshme. Po kush
mendon ndonjëherë të bekojë Perëndinë? Megjithatë
përdorimi i përsëritur i kësaj shprehjeje në Shkrimet e
Shenjta e bën të qartë që ne duhet të veprojmë kështu;
dhe që duhet të përfshihet diçka më tepër se fjalët e
lavdërimit – Perëndia duhet të bekohet vërtet me një
dhuratë nga njeriu që është e një vlere të madhe.
Megjithatë përshkrimi i Davidit duke duke bekuar
Perëndinë duket se e shpreh këtë përtej aftësive
njerëzore: “Lartojeni Zotin bashkë me mua, dhe të
lëvdojnë të gjithë emrin e tij” (Psa. 34:1-3). Njerëzit e
thjeshtë qenkan në gjendje të lartojnë dhe të ngrenë lart
Perëndinë e pafund që i ka sjellë ata në ekzistencë? Kjo
duket e pamundur.
- Islami dhe Ungjilli (PDF)
- Meka, Roma dhe Izraeli (PDF)
- Trinia (PDF)
|
- Një Perëndi që e fsheh Veten (PDF) (HTML)
- I vetmi Perëndi i vërtetë (PDF) (HTML)
- Dashuria, drejtësia dhe gjykimi (PDF)
- Uji i jetës (PDF)
- Dita kur lindi Krishti (PDF)
- Kozmosi dhe Krijuesi (PDF)
- Beko Zotin (PDF) (HTML)
- Vdekja e një pape (PDF)
- Të duash Perëndinë (PDF)
- Krishti vdiq për mëkatet tona (PDF)