Më ka bërë përshtypje një varg tek 1 Samuelit 2, vargu 25: “Por
ata nuk e dëgjuan zërin e atit të tyre, sepse Zoti dëshironte të
vdisnin”. E njëjta gjë ka ndodhur dhe me faraonin e Egjiptit ku
Zoti ia ngurtësonte zemrën. Për një moment më bëri të mendoj
se ne nuk kemi shumë në dorë. Në kuptimin që ÇDO GJË ËSHTË
E VENDOSUR, N.Q.S. JEMI TË MIRË A TË KËQIJ. ÇDO GJË ËSHTË
E PARACAKTUAR. Zoti dëshironte që ata të vdisnin! Çfarë
mendoni ju?


Komentari i Biblës për Besimtarët i autorit William MacDonald thotë:

    Eli nuk i qortoi bijtë e tij derisa dëgjoi lajmet e imoralitetit të tyre. Por tashmë ishte
    shumë vonë për qortimin e tij të butë gojor. Ata ngurtësuan zemrat e tyre dhe kështu u
    ngurtësuan jo pa qëllim, ashtu si faraoni i lashtë, sepse Perëndia kishte vendosur t'i
    shfaroste. Gjatë kësaj kohe Samueli po rritej qetësisht, pastërtia dhe mirësia e tij i
    pëlqente Zotit dhe njerëzve. Nëse kujtojmë se këto ngjarje kanë ndodhur gjatë kohës së
    gjyqtarëve, nuk është për t'u çuditur që priftëria nuk ia arriti të shpëtonte nga rënia
    morale e asaj periudhe.

Ideja është që bijtë e Elit vazhduan vit pas viti duke mëkatuar. Në fillim ata i
ngurtësuan vetë zemrat e tyre. Por Perëndia, siç ka bërë edhe me Faraonin, kur
njerëzit kalojnë shumë kohë duke e kundërshtuar Perëndinë, duke ngurtësuar
zemrat e tyre, Perëndia zemërohet dhe fillon vetë të ngurtësojë zemrat e njerëzve.
Në këtë rast, bijtë e Elit ishin aq keq duke arritur shumë thellë në ngurtësimin e
vetvetes (me ndihmën e Zotit) që Perëndia dëshironte të vdisnin. Ata ishin një
pengesë për Izraelin dhe duhet të hiqeshin nga mesi i tyre. Në raste të tilla,
Perëndia ka të drejtë t'i kundërshtojë mëkatarët. Nuk është çështje paracaktimi,
por rebelimi kundër Perëndisë me pasojat që vijnë më pas, d.m.th., ngurtësimi i
zemrës nga vetvetja dhe pastaj nga Perëndia. Mësimi është: duhet të kemi kujdes
në jetën tonë dhe duhet të ecim me përulësi përpara Perëndisë.

Në lidhje me frazën
“sepse Zoti do t’i vriste ata” (Versioni i Autorizuar), Adam Clarke
thotë:

    Pjesorja ki, që ne e përkthejmë sepse, dhe kështu e bëjmë vazhdimësinë e tyre në
    mëkat pasojën e vendosmërisë së Perëndisë për t’i shkatërruar ata, duhet të përkthehet
    prandaj, sikurse do të thotë në shumë pjesë të shkrimeve të shenjta. Ishte mosdëgjimi i
    tyre që e shtyu Zotin të dëshironte shkatërrimin e tyre.

Ç’mund të themi për faraonin? Në librin e tij Çfarë dashurie është kjo?
Shtrembërimi kalvinist i Perëndisë,
Dave Hunt thotë:

    Perëndia e njihte që më parë zemrën e keqe dhe vetëdashëse të këtij tirani dhe kjo
    është arsyeja që Perëndia e ngriti atë në këtë kohë të caktuar: “Por, pikërisht për këtë
    arsye të kam ngritur, për të treguar fuqinë time dhe që emri im të shpallet në gjithë
    dheun” (Eks. 9:16, Versioni i Autorizuar]. Perëndia e përdori zemrën fodulle e krenare
    të faraonit për të gjykuar plotësisht tërë perënditë e Egjiptit, gjatë procesit të çlirimit të
    popullit të Tij nga ajo tokë pagane.
           
    Perëndia nuk e shkaktoi faraonin të mëkatonte, por i organizoi rrethanat dhe ngjarjet
    që ta vendoste pikërisht këtë njeri (sjelljen dhe shtysat e këqija të të cilit Ai i dinte që
    më parë me hollësi) që të ishte në pushtet në atë kohë të caktuar, që të përdorte
    ligësinë e tij [të faraonit] për të përmbushur vullnetin e Tij. Ne i pohojmë si biblike dhe
    të arsyeshme aftësinë e Perëndisë dhe të drejtën e Tij sovrane për t’i organizuar
    rrethanat dhe për t’i vendosur në skenën e jetës ata lojtarë të cilët ai i njeh që më
    parë, me qëllim që vullneti i Tij të kryhet në çështjet njerëzore—dhe këtë ta bëjë pa
    shkelur vullnetin e tyre apo pa nxitur krimet e tyre (dhe aq më pak që të bëhet
    bashkëfajtor me ta).

    As nuk u shkaktuan veprimet e faraonit nga Perëndia; Ai thjesht e lejoi të keqen e
    faraonit të vazhdonte në rrugën e saj, madje duke forcuar vendosmërinë e keqe të
    faraonit deri atje sa ajo të përmbushte qëllimin e vetë Perëndisë.
           
    Ka vetëm një shpjegim biblik që Perëndia i merr disa në qiell dhe i dërgon të tjerët në
    ferr: Shpëtimi është një ofertë e vërtetë, dhe Perëndia, në paranjohjen e Tij dijeplotë, e
    di se si do të përgjigjet çdo njeri.
Shkarko Adobe Reader
Për të parë skedarë në
formatin PDF, juve ju duhet
programi Adobe Reader. Ju
mund ta shkarkoni atë falas
duke klikuar mbi figurën e
mëposhtme.
Share