




Po lexoja te numrat 22:20: “Dhe Perëndia i shkoi atë natë
Balaamit dhe i tha: Në rast se këta njerëz kanë ardhur të të
thërrasin, çohu dhe shko me ta, por do të bësh vetëm ato gjëra
që unë do të të them”. Dhe pak më poshtë lexoj te vargu 22:
“Por zemërimi i Perëndisë u ndez sepse ai ishte nisur; dhe
Engjëlli i Zotit i doli rrugës si armik kundër tij”. Dhe te vargu 33:
“…në rast se nuk do të më kishe evituar, me siguri do të të
kisha vrarë duke e lënë atë të gjallë”. A nuk tingëllon si
kontradiktë? Perëndia e urdhëron të niset dhe më vonë Engjëlli
thotë se do të të kisha vrarë…!
Historia e Balaamit është një nga tregimet më të çuditshme dhe në të njëjtën
kohë më udhëzuese në Bibël. Ai ishte një profet vërtet në kontakt me Perëndinë
dhe nëpërmjet të cilit Perëndia foli: “Atëherë Perëndia i shkoi Balaamit dhe i tha
[…] Zoti i vuri një mesazh në gojë Balaamit…, etj (Num. 22:9, 12, 20; 23:4, 5, 16
etj.). Megjithatë kur Balaku, mbreti i Moabit, dërgoi princa duke i ofruar atij para për
të mallkuar popullin e Perëndisë, Balaami ishte tepër i etur për ta bërë një gjë të
tillë. Paraja ishte perëndia e tij e vërtetë dhe bëri që karriera e tij e shquar të
përfundonte në ferr. Ishte Balaami ai që profetizoi për Krishtin, “një Yll do të dalë
nga Jakobi dhe një Skeptër do të ngrihet nga Izraeli” (24:17). Ai ishte nga
Mesopotamia (Iraku i sotëm), nga e njëjta zonë si dijetarët që nderuan Krishtin në
lindjen e Tij. Me sa duket, këta “dijetarë nga lindja” (Mat. 2:1) qenë ndriçuar nga
profecia e Balaamit për të njohur e ndjekur yllin. Sidoqoftë, Balaami ishte një nga
armiqtë e Perëndisë të cilin izraelitët “e vranë […] me shpatë” (Num. 31:8). Si
mund të ketë kontradikta të tilla?
Shumë studentë të Biblës pyesin veten se përse engjëlli i Zotit “i doli rrugës si
armik kundër tij” (22:22). A nuk i kishte thënë Perëndia Balaamit që ai mund të
shkonte me emisarët [të dërguarit] e Balakut? Po, por vetëm “në rast se këta
njerëz vijnë të të thërrasin” (v. 20, Versioni i Autorizuar). Balaami nuk priti që të
thirrej, por me plot dëshirë “u çua […] dhe shkoi bashkë me princat e Moabit” (v.
21). Ky nuk ishte devijimi i parë i tillë i Balaamit, pasi Perëndia e kujtoi atë “rruga
që ndjek ti nuk pajtohet me vullnetin tim” (v. 32).
Këtu kemi një përzierje të çuditshme: një njeri që përdoret nga Perëndia për të
profetizuar (23:16-24; 24:2-24) dhe që përdoret nga Satani për magji (hebraisht:
kawsam - Joz. 13:22). Kawsam është përkthyer diku tjetër si “shortari”, që përfshin
çdo teknikë që automatikisht jep fuqi frymërore në bashkëpunim me frymërat e
ndyra. Edhe mbreti Saul e dinte që shortaria vjen përmes një fryme të ndyrë,
sepse ai i kërkoi magjistares në En-Dor “bëj një shortari për mua […] me një
seancë spiritizmi” (1 Sam. 28:8).
Mbasi Perëndia i kishte thënë atij qartë të mos shkonte me princat e Balakut,
Balaami ngulmoi në lutje, duke shpresuar që Perëndia të ndërronte mendje (v.
19). Lakmia për para ishte rrënimi i Balaamit. Protesta e tij, “Edhe sikur Balaku të
më jepte shtëpinë e tij të mbushur me argjend dhe me ar, nuk mund të shkel
urdhrin e Zotit” (Num. 22:18), vetëm sa zbuloi dëshirën e tij të vërtetë. Balaami
“deshi pagën e paudhësisë” (2 Pje. 2:15), aq shumë sa ai është prototipi i parasë
së korruptimit…: “Mjerë ata, sepse […] u dhanë pas çoroditjes së Balaamit për
fitim” (Juda 11). Balaami është rasti tipik i “profetit argat” që përdhos aftësinë e tij
të perëndishme për para.



Për të parë skedarë në
formatin PDF, juve ju duhet
programi Adobe Reader. Ju
mund ta shkarkoni atë falas
duke klikuar mbi figurën e
mëposhtme.