Nxitja për shërbim vjen prej një dashurie vetjake për Jezus Krishtin nga ana e
anëtarëve të asamblesë dhe prej dëshirës së zemrave të tyre për të lavdëruar Atë.
Ne mirëpresim këdo në predikimet e ungjillit, studimet biblike, shërbesat tona të
fëmijëve dhe takimet e të rinjve. Të gjithë ata që e njohin personalisht Jezus
Krishtin si Zot dhe Shpëtimtar janë të nxitur të bashkohen me ne në thyerjen e
bukës çdo ditë të parë të javës.
Çfarë është e veçantë për besimin që ka Asambleja Biblike?
Krishti themeloi kishën e Tij në tokë që ta përfaqësojë Atë, të vazhdojë punën e Tij
dhe të kujdeset për njerëzit e Tij. Ai e deshi atë dhe sakrifikoi veten e Tij për kishën
(Efe. 5:25). Kudo që ungjilli është pranuar janë krijuar kisha vendore. Bibla
asnjëherë nuk na tregon se është vullneti i Perëndisë, qoftë edhe për një besimtar
të vetëm, që të jetojë i vetëm, i pabashkëngjitur me një kishë vendore. Shumica e
letrave të Dhiatës së Re u janë drejtuar kishave vendore. Të tjera, si Letra I dhe II e
Timoteut janë shkruar për kishat vendore. Veprat e Apostujve na tregojnë për
themelimin e kishave vendore. Zbulesa përmban mesazhe për kishat vendore.
Ne mirëpresim në përbashkësi me ne të gjithë ata që e njohin dhe e duan Zotin
Jezus si Zot, Shpëtimtar dhe Perëndi. Ne presim nga ata që të jenë të pandotur në
ecjen e tyre. Ne i bindemi dy urdhëresave më të mëdha përkujtimore që Zoti Jezus
urdhëroi, të cilat janë:
- Pagëzimi i besimtarit (zhytja në ujë e atyre që e kanë pranuar Krishtin);
- Darka e Zotit (marrja e përbashkët e bukës dhe e verës në përkujtim të
Trupit e Gjakut të Tij).
Ne nuk jemi të përsosur në kishën tonë ose në jetët tona. Si qenie njerëzore të
vdekshme e të dobëta në të gjithë botën, edhe ne kemi gabimet dhe dështimet
tona. Nga ana tjetër ne nuk mund të tolerojmë praktikimin e disa gjërave, si:
imoraliteti, veprimet përçarëse e shkatërruese, sjelljen e pahijshme, të
pandershme dhe të turpshme nga ata që shpallin emrin e Krishtit dhe kanë
bashkësi me ne.
Ne nuk jemi e vetmja kishë vendore e drejtë dhe as nuk kemi monopolin mbi të
vërtetën. Ne nuk themi që gjithë të tjerët e kanë gabim dhe vetëm ne kemi të
drejtë. Ne i pranojmë si shokë besimi dhe fëmijë të Perëndisë të gjithë ata që i
përkasin Krishtit nëpërmjet mrekullisë së lindjes së re (rilindja frymërore Gjoni 3:
3).
Doktrinat bazë dhe kryesore të besimit të krishterë janë ato që ne i kemi të
përbashkëta me gjithë besimtarët e tjerë të vërtetë. Vdekja e Jezusit për mëkatet
tona, ringjallja trupore e Tij nga të vdekurit, hyjnia e Krishtit, pagabueshmëria dhe
përsosmëria e Fjalës së Perëndisë (Bibla), shpresa e qiellit për të shpëtuarit
(siguria e shpëtimit) dhe dënimi i përjetshëm i të humburve janë disa shembuj.
Përveç këtyre të vërtetave, ne kemi të përbashkët me shumë kisha të tjera (jo me
të gjitha) disa besime, si: pagëzimi i besimtarit (jo i foshnjave) dhe kthimi i Zotit
Jezus Krisht për të rrëmbyer kishën e Tij përpara periudhës së Mundimit të Madh
dhe Mijëvjeçarit.
Ne kërkojmë të jemi besnikë ndaj Zotit dhe parimeve të Fjalës së Tij ashtu si e
kuptojmë atë. Ne nuk jemi nën autoritetin ose juridiksionin e asnjë lloj sistemi
kishtar ose hierarkie të çdo lloji. Ne nuk përdorim emra denominacionalë dhe
parapëlqejmë të quhemi vetëm me emrat që janë përdorur në Bibël për të gjithë të
krishterët, si: besimtarë, shenjtorë, dishepuj, vëllezër ose motra në Krishtin dhe bij
të Perëndisë. Emrat denominacionalë nuk do t'i dallojnë njerëzit e Perëndisë në
parajsë, prandaj dhe ne nuk duam t'i përdorim ata këtu në tokë.
Ka disa parime në jetën e Asamblesë Biblike që na dallojnë, por nuk na ndajnë
nga kishat e tjera që janë besnike ndaj Krishtit. Kjo do të thotë që ne
bashkëpunojmë me besimtarë të tjerë ose kisha të tjera që janë besnike ndaj
Krishtit kur interesi ynë i përbashkët e bën këtë gjë të mundur. Nga ana tjetër ne
kemi të kuptuarit tonë të Fjalës (Biblës), që mund të jetë i ndryshëm nga ai i të
tjerëve në çështjet e funksionimit të kishës. Ndër këto gjëra përmendim si më
poshtë:
1. Krishti është Kreu i vetëm i kishës (Efe. 5:23, Kol. 1:8) dhe qendra e të
mbledhurit tonë, jo një organizatë dhe as një udhëheqës kishe. Ne besojmë që
çdo kishë vendore është drejtpërsëdrejti përgjegjëse vetëm ndaj Krishtit dhe ndaj
askujt tjetër.
2. Çdo besimtar në Krishtin është një prift (1 Pje. 2:5-9) dhe një shenjtor (1 Kor. 1:
2). Nuk ka ndonjë ndarje në Bibël midis një besimtari si prift në njërën anë dhe
një njeriu të zakonshëm në anën tjetër. Nuk ka asnjë bazë biblike për të mësuar
që vetëm një klasë njerëzish, që kanë përjetuar një ceremoni emërimi, i janë
dhënë të drejtat e vetme për të kryer funksionet biblike, ndërkohë që të tjerëve u
mohohet kjo mundësi. Tërë sistemi klerik apo priftëror në kishë është jobiblik.
3. Çdokujt në Krishtin i është dhënë një dhunti frymërore në mënyrë që ta përdorë
për të ndërtuar të tjerët në kishë (Efe. 4:11-12, 1 Kor. 12). Ne besojmë që
besimtarët duhet të nxiten t'i përdorin këto dhunti në funksion të kishës. Nuk është
e pëlqyeshme që të kemi një skuadër profesionale shërbimi frymëror të paguar
për të shërbyer në bashkësi. Është e nevojshme që vetë besimtarët të përfshihen
në shërbesë.
4. Ne shikojmë që në Dhiatën e Re struktura e takimeve në kishë është e tillë që
dëshmon një bindje ndaj mësimeve të Biblës, mundësi për bashkësi midis
shenjtorëve, një takim i rregullt për Darkën e Zotit dhe përkushtim në lutje (Vep. 2:
42 ). Sa i përket Darkës së Zotit, ne gjithashtu shikojmë që Dhiata e Re tregon një
zbatim të përjavshëm të kësaj feste përkujtimore (Vep. 20:7). Duhet të ekzistojë
mundësia për pjesëmarrje të përbashkët adhurimi në përputhje me 1 Kor.14:26,
29, 34. Në të gjitha takimet e kishës motrat tona mbulojnë kokën e tyre me shami
ashtu si mësohet tek 1 Kor. 11: 2-16
5. Ne besojmë që drejtimi i kishës duhet të jetë në shumësi. Megjithëse
misionarët dhe themeluesit e kishave shpeshherë formojnë një kishë vendore me
anë të punës së një individi, është modeli i Shkrimeve që të kemi një udhëheqje
në shumësi (Fil. 1:1, Vep. 20:28, Tit. 3:5-9, 1 Tim. 3:1-13). Kjo nuk do të thotë që
njerëz të veçantë nuk mund të kenë një udhëheqje të posaçme ose dhunti të të
folurit që janë të dalluara.
Ka disa privilegje për ata që bëjnë pjesë në bashkësinë tonë vendore. Disa nga
këto janë:
1. Përkujdesje baritore nga ata që kanë përgjegjësi për shpirtrat e besimtarëve
(Heb. 13:17, 1 Pje. 5:2-4);
2. Mbështetje të ndërsjelltë në një trup, ku besimtarët i janë përkushtuar njëri-tjetrit
dhe bashkësisë si një e tërë;
3. Mësime nga Fjala e Perëndisë;
4. Një vend për adhurim të përbashkët, lutje të përbashkëta, shërbesa të
përbashkëta, dëshmi të përbashkëta dhe mbështetje të përbashkët.
5. Mësim dhe ndihmë për fëmijët, kryerja e martesave, varrimeve, vizitave ndaj të
sëmurëve, ndihmë për familjet në problem.
6. Pjesëmarrje në punën misionare nëpërmjet mbështetjes dhe ndihmës
financiare për misionarët, sidomos për ata që punojnë jashtë rrethit dhe vendit.
Në kishë ka dhe përgjegjësi që përputhen plotësisht me këto privilegje. Disa nga
këto janë:
1. Të jetosh një jetë të denjë si ndjekës i Zotit Jezus, që mund të jesh një shtyllë
për Të dhe për kishën (Kol. 1:10, Ef. 5:1-2).
2. Të jesh plot me respekt ndaj këshillave të udhëheqësve në kishë dhe të lutesh
për ta (1 Thes. 5:12-13, Heb. 13:17).
3. Të jesh pjesëmarrës në funksionet tona të përbashkëta sipas aftësive që
Perëndia të ka dhënë. Ji i gatshëm për të shërbyer e ndihmuar. Nuk duhet të vish
vetëm si një dëgjues i mësimeve (1 Kor. 12:4-7, 11-12, Ef. 4:12).
4. T'i japësh Perëndisë dhe punës së tij nëpërmjet kishës tënde vendore (1 Kor
16:1-2). Përgjegjësia financiare fillon në shtëpinë frymërore.
5. Të ndjekësh modelin e Veprave të Apostujve 2:42. Qëndro besnik dhe i
vendosur në doktrinën e apostujve, bashkësi me vëllezërit, thyerjen e bukës dhe
në lutje. Shfrytëzo çdo rast e çdo mundësi për të studiuar Fjalën e Perëndisë me
ne dhe për t'u bërë një besimtar i ditur i Shkrimeve.




Asambleja Biblike gjendet në
Pogradec, në juglindje të
Shqipërisë. Asambleja Biblike i
është përkushtuar adhurimit të
Perëndisë, ndërtimit të të
krishterëve për jetë e shërbim dhe
shpalljes së ungjillit të Krishtit.
Besimtarët e Asamblesë Biblike
mblidhen çdo javë bashkërisht për
të adhuruar Perëndinë, duke
përkujtuar Zotin në thyerjen e
bukës (Darka e Zotit).
Për të parë skedarë në
formatin PDF, juve ju duhet
programi Adobe Reader. Ju
mund ta shkarkoni atë falas
duke klikuar mbi figurën e
mëposhtme.