SHPJEGIME TEMATIKE:
MBRETËRIA E QIEJVE
Në kapitullin e tretë të Ungjillit sipas Mateut, në vargun e dytë, ndeshim për herë të
parë frazën "mbretëri e qiejve." Ajo është përdorur tridhjetë e dy herë në këtë
Ungjill. Meqenëse një person nuk mund ta kuptojë drejt Mateun (apo Ungjillin
sipas Mateut) pa kuptuar mirë këtë koncept, një përkufizim dhe një përshkrim i
termit është me vend në këtë pikë.
Mbretëria e qiejve është sfera ku njihet sundimi i Perëndisë. Fjala "qiejt" është
përdorur për të treguar Perëndinë. Kjo është treguar te Danieli 4:25, ku Danieli
thotë se "Shumë i Larti" sundon në mbretërinë e njerëzve. Në vargun tjetër ai thotë
se "qielli" sundon. Kudo që njerëzit i nënshtrohen sundimit të Perëndisë, aty
ekziston mbretëria e qiejve (ose mbretëria e qiellit).
Ekzistojnë dy aspekte të mbretërisë së qiejve. Në kuptimin e saj më të gjerë, ajo
përfshin këdo që rrëfen se e njeh Perëndinë si Sundues Suprem. Në aspektin e
saj më të ngushtë, ajo përfshin vetëm ata që janë kthyer vërtet. Ne mund ta
paraqesim këtë me dy rrathë bashkëqendrorë.
Rrethi i madh është sfera e rrëfimit; ai përfshin të gjithë ata që janë nënshtetas të
vërtetë të Mbretit si edhe ata që vetëm rrëfejnë besnikëri ndaj Tij. Kjo është parë në
shëmbëlltyrat e mbjellësit (Mt. 13:3-9), të kokrrës së sinapit (Mt. 13:31-32) dhe të
majasë (Mt. 13:33). Rrethi i vogël përfshin vetëm ata që kanë lindur sërish përmes
besimit në Zotin Jezus Krisht. Në aspektin e saj të brendshëm, në mbretërinë e
qiejve mund të hyjnë vetëm ata që janë kthyer (Mt. 18:3).
Duke vënë bashkë të gjitha referimet e Biblës për mbretërinë, ne mund të ndjekim
zhvillimin e saj historik në pesë faza të veçanta:
E para. Mbretëria ishte profetizuar në DhV. Danieli paratha se Perëndia do të
ngrinte një mbretëri që nuk do të shkatërrohej kurrë e që nuk do t'ia lëshonte
sovranitetin e saj një populli tjetër (Dan. 2:44). Gjithashtu ai parashikoi ardhjen e
Krishtit për të ushtruar sundim universal e të përhershëm (Dan. 7:13-14; shih
gjithashtu Jer. 23:5-6).
E dyta. Mbretëria ishte përshkruar nga Gjon Pagëzori, Jezusi dhe nga të
dymbëdhjetë dishepujt se ishte afër ose e pranishme (Mt. 3:2; 4:17; 10:7). Te
Mateu 12:28, Jezusi tha: "…në qoftë se unë i dëboj djajtë me ndihmën e Frymës
së Perëndisë, atëherë Mbretëria e Perëndisë ka ardhur në mesin tuaj." Te Luka 17:
21, Ai tha: "Sepse ja, mbretëria e Perëndisë është përbrenda jush" ose në mesin
tuaj. Mbretëria ishte e pranishme në Personin e Mbretit. Siç do ta tregojmë më
vonë, termat "mbretëri e Perëndisë" dhe "mbretëri e qiejve" janë përdorur në vend
të njëri-tjetrit.
E treta. Mbretëria është përshkruar në një trajtë të përkohshme. Mbas refuzimit të
Tij nga kombi i Izraelit, Mbreti u kthye në qiell. Ndërsa Mbreti mungon, mbretëria
ekziston sot në zemrat e të gjithë atyre që e njohin Atë si Mbret dhe parimet morale
dhe etike të saj, duke përfshirë Predikimin në Mal, janë të zbatueshme për ne sot.
Kjo fazë e përkohshme e mbretërisë është përshkruar në shëmbëlltyrat e Mateut
13.
Faza e katërt e mbretërisë është ajo që mund të quhet shfaqja e saj. Ky është
mbretërimi mijëvjeçar i Krishtit mbi tokë, i cili ishte përshkruar nga Shpërfytyrimi i
Krishtit kur Ai ishte parë në lavdinë e mbretërisë së Tij të ardhshme (Mt. 17:1-8).
Jezusi iu referua kësaj faze te Mateu 8:11 kur Ai tha: "…shumë do të vijnë nga
lindja dhe nga perëndimi dhe do të ulen në tryezë me Abrahamin, me Isakun dhe
me Jakobin, në mbretërinë e qiejve."
Trajta përfundimtare do të jetë mbretëria e amshuar. Tek 2 Pjetrit 1:11, për të flitet
si për "mbretërinë e amshuar të Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jezus Krisht."
Fraza "mbretëri e qiejve" gjendet vetëm tek Ungjilli i Mateut, por "mbretëri e
Perëndisë" gjendet në të katër Ungjijtë. Për të gjitha domethëniet praktike nuk ka
ndryshim. Të njëjtat gjëra janë thënë për të dyja. Për shembull, te Mateu 19:23
Jezusi tha se për një të pasur do të ishte e vështirë që të hynte në mbretërinë e
qiejve. Si Marku (10:23), ashtu edhe Luka (18:24) shënojnë se Jezusi e tha këtë
për mbretërinë e Perëndisë (shih gjithashtu Mt. 19:24, që ka një thënie të
ngjashme duke përdorur "mbretëri e Perëndisë").
Më lart pohuam se mbretëria e qiejve ka një aspekt të jashtëm dhe një realitet të
brendshëm. Që e njëjta gjë është e vërtetë për mbretërinë e Perëndisë, kjo është
akoma më tej një provë se të dy termat tregojnë të njëjtën gjë. Edhe mbretëria e
Perëndisë përfshin realen dhe të rremen. Kjo është parë në shëmbëlltyrat e
mbjellësit (Lu. 8:4-10), të kokrrës së sinapit (Lu. 13:18-19) e të majasë (Lu. 13:20-
21). Për sa i përket realitetit të brendshëm të vërtetë të saj, në mbretërinë e
Perëndisë mund të hyjnë vetëm ata që kanë lindur sërish (Gjo. 3:3, 5).
Një pikë e fundit: mbretëria nuk është e njëjta gjë sikurse Kisha. Mbretëria filloi kur
Krishti u fut në shërbesën e Tij publike; Kisha filloi në ditën e Rrëshajave
[Pentekostit] (Vep 2). Mbretëria do të vazhdojë mbi tokë derisa toka të jetë
shkatërruar; Kisha vazhdon mbi tokë deri në çastin e Rrëmbimit (që është largimi
ose heqja e Kishës nga toka kur Krishti të zbresë nga qielli dhe t'i marrë të gjithë
besimtarët me Vete në shtëpi - 1 Thes 4:13-18). Në Ardhjen e Tij të Dytë, Kisha do
të kthehet me Krishtin për të mbretëruar me Të si Nusja e Tij. Aktualisht njerëzit që
janë në mbretëri, në realitetin e brendshëm e të vërtetë të saj, janë edhe në Kishë.







Për të parë skedarë në
formatin PDF, juve ju duhet
programi Adobe Reader. Ju
mund ta shkarkoni atë falas
duke klikuar mbi figurën e
mëposhtme.