SHPJEGIME TEMATIKE:
DIVORCI E RIMARTESA
Tema e divorcit dhe e rimartesës është një temë biblike tepër e vështirë. Është
pothuajse e pamundur t’u përgjigjesh të gjitha pyetjeve që i takojnë divorcit dhe
rimartesës. Sidoqoftë, le të përpiqemi të përmbledhim mësimet kryesore të Fjalës
së Perëndisë.
Divorci (ndarja) nuk ka qenë kurrë qëllimi i Perëndisë për njerëzit. Qëllimi i
përsosur është që një burrë dhe një grua të vazhdojnë me martesën e tyre deri sa
martesa të thyhet me vdekjen (Rom. 7:2-3). Jezusi ia sqaroi farisenjve duke folur
për qëllimin hyjnor të Perëndisë (Mat. 19:4-6).
Perëndia e urren divorcin (Mal. 2:16), d.m.th., divorcin jobiblik. Ai nuk i urren të
gjitha format e divorcit sepse Ai vetë i dha letrën e ndarjes Izraelit (Jer. 3:8). Ai e
bëri këtë sepse kombi e braktisi Perëndinë për të adhuruar idhuj. Izraeli ishte i
pabesë.
Në Mat. 5:31-32 dhe 19:9 Jezusi mësoi që divorci nuk lejohej përveçse kur një nga
bashkëshortët ka bërë imoralitet (kurvëri). Në Markun 10:11-12 dhe Llukën 16:18
ky përjashtim mungon. Shpjegimi më i mirë i kësaj mosmarrëveshje (midis Mat.
dhe Mar./LLu.) është që ndoshta as Marku, as Luka nuk kanë shkruar shprehjen e
plotë të Jezusit, por vetëm një pjesë. Pra, megjithëse divorci nuk është ideali,
lejohet në rastin e kurvërisë. Jezusi e lejon divorcin në këtë rast, por nuk e
urdhëron.
Disa mësuesë besojnë që 1 Kor 7:12-16 mëson që divorci lejohet kur një
jobesimtar e braktis besimtarin. Pali thotë që në këtë rast besimtari nuk është i
lidhur, d.m.th., ai është i lirë të ndahet, jo sepse jobesimtari ka bërë imoralitetit, por
e ka braktisur besimtarin. Sidoqoftë, është opinion i autorit që kjo situatë nga 1 Kor
7:12-16 është njëlloj me Mat. 5 & 19. D.m.th., nënkuptimi është që jobesimtari e ka
braktisur besimtarin për të jetuar me dikë tjetër. N.q.s. ky është kuptimi, atëherë,
braktisja nuk është një arsye e mjaftueshme për t’u ndarë. Që të ndahet, besimtari
duhet të ketë një provë që jobesimtari ka shkelur kurorën.
Shpesh herë thuhet që megjithëse divorci lejohet në Dhiatën e Re, rimartesa nuk
konsiderohet fare. Sidoqoftë, ky argument nuk qëndron. Rimartesa nuk dënohet
për partnerin jo fajtor në Dhiatën e Re. Përkundrazi, rimartesa dënohet për
partnerin fajtor. Përveç të tjerave, një qëllim i divorcit biblik është të lejojë
rimartesën, përndryshe bashkëshortët mund të banojnë veç e veç pa letër ndarje.
Në një diskutim të tillë, gjithmonë do të dalë kjo pyetje: “Çfarë duhet të bëjmë me
njerëz që kanë qenë të ndarë përpara shpetimit?” Nuk ka asnjë dyshim se ndarjet
dhe rimartesat e paligjshme që janë bërë përpara shpëtimit, janë falur krejtësisht
(shih 1 Kor. 6:11 kur Pali përfshiu shkeljen e kurorës në listën e mëkatevë me të
cilat besimtarët e Korinit kishin marrë pjesë përpara shpëtimit). Mëkatet që njerëzit
i kanë bërë përpara shpëtimit nuk i pengojnë ata që të marrin pjesë plotësisht në
kishën lokale.
Një pyetje më e vështirë u takon besimtarëve që janë ndarë në mënyrën jobiblike
dhe janë martuar prapë. A mund të pranohen ata në përbashkësi (p.sh., në
Darkën e Zotit)? Përgjigjja varet mbi përkufizimin e shkeljes së kurorës, d.m.th., a
është shkelja e kurorës veprimi i parë i një bashkimi fizik apo një gjendje e
vazhdueshme? N.q.s. këta njerëz po jetojnë në një gjendje të shkeljes së kurorës,
atëherë duhet të rrëfejnë mëkatin e tyre dhe të braktisin partnerin e tanishëm. Por
zgjidhja e Perëndisë për një problem nuk krijon kurrë probleme më të këqija. Në
qoftë se për të zgjidhur një problem martesor, burri dhe gruaja janë detyruar të
mëkatojnë, ose gruaja dhe fëmijët braktisen, atëherë zgjidhja bëhet më e keqe
sesa problemi.
Sipas opinionit të autoritit, besimtarët që janë ndarë në mënyrën jobiblike dhe
pastaj janë rimartuar mund të pendohen në zemrat e tyre. Gjithashtu ata mund të
pranohen prapë nga Zoti dhe bashkësia e kishës. Në çështjen e divorcit, duket që
pothuaj të gjitha rastet janë të ndryshme nga njëri-tjetri. Atëherë, pleqtë e kishës
lokale duhet të hetojnë secilin rast me kujdes dhe ta gjykojnë sipas Fjalës së
Perëndisë. N.q.s. kisha duhet të bëjë disiplinë, të gjithë besimtarët duhet t’i
nënshtrohen vendimit të pleqve.
Situata të ndryshme - Çfarë duhet të bëjmë?
1) Një burrë dhe një grua kanë qenë të martuar për pesë vjet dhe kanë dy fëmijë
me moshën 3 dhe 1, por ishin ndarë nga partnerët e mëparshëm. Në muajin e
fundit u shpëtuan dhe tani kërkojnë të pagëzohen. A do t’i pagëzojmë ata dhe t’i
pranojmë në Darkën e Zotit? Me kalimin e kohës, a mund të jetë ai një plak në
kishë? (Shih 1 Tim. 3:2, “burrë i një gruaje të vetme”. Çfarë do të thotë kjo?).
2) Pas shpëtimit burri u nda nga gruaja e tij sepse ajo bëri imoralitet. Tani ai është
rimartuar me një besimtare që nuk ka qenë martuar kurrë. A do t’i pranojmë në
Darkën e Zotit? A mund të jetë ai një plak i kishës?
3) Pas shpëtimit burri u nda nga gruaja e tij. Ajo e kërkoi divorcin sepse tha “Ne
nuk mund të jetojmë bashkë sepse grindemi shumë”. Ajo nuk u rimartua dhe
banon afër. Tani ai është rimartuar me një besimtare që nuk ka qenë martuar
kurrë. A do t’i pranojmë në Darkën e Zotit? A mund të jetë ai një plak në kishë?
4) Një besimtare (Maria) që nuk ka qenë martuar kurrë kishte interes martesor me
një burrë (Berti, nga një kishë tjetër) që pas shpëtimit u nda nga gruaja e tij
(Donika) sepse ajo tha: “Ne nuk mund të jetojmë bashkë sepse ai është martuar
me punën e tij dhe nuk ka kohë për mua". Megjithëse Berti nuk e donte ndarjen,
Donika e kërkoi nga ai. Me kalimin e kohës Maria dhe Berti u takuan dhe kur
interesi martesor u rrit, Maria kërkoi këshillën e pleqvë të kishës. Sidoqoftë, ata
nuk ishin dakord me interesin martesor të saj sepse kishin dyshim për gjendjen
shpirtërore të tij. Fatkeqësisht, Maria veproi kundër këshillës së pleqvë dhe u
martua me Bertin (në kishën e tij që është pentakostale). Pas dy muajsh, d.m.th.,
tani, çifti u afrohet pleqve të saj dhe kërkojnë falje duke thënë: “Megjithëse e
kuptuam që po bënim një gabim, dashuria jonë për njëri-tjetrin ishte aq e fort që
nuk mund të përballonim tundimin dhe u martuam. Por Perëndia na ka falur dhe
ju themi 'na falni'". Njëkohësisht, ata kërkojnë që pleqtë t'i pranojnë në bashkësi
duke thënë: “Maria nuk është e kënaqur me kishën pentakostale sepse predikuesi
është grua dhe duam të transferohemi në kishën tuaj". Çfarë duhet të bëjmë?
5) Pas shpëtimit burri u nda nga gruaja e tij. Në fakt, të dy e kërkuan sepse (sipas
burrit) “Ne e kuptonim që ne po shkonim në drejtime të kundërta. Unë doja fëmijë
por ajo nuk donte. Ajo ishte martuar me karrierën e saj dhe nuk kishte kohë për
mua. Por gjëja më e keqe ishte që ajo më urrente sepse unë isha një besimtar". Ai
nuk është rimartuar. A do ta pranojmë në Darkën e Zotit?
6) Pas shpëtimit një burrë dhe një grua u ndanë nga partnerët e tyre për shkakun e
imoralitet dhe tani janë rimartuar me njëri-tjetrin (për një vit) dhe nuk kanë asnjë
fëmijë. Sidoqoftë, partnerët e tyre nuk u rimartuan dhe në kohën e fundit u
shpëtuan. A duhet t’i kthehen ata partnerit orgjinal duke u ndarë nga partneri i dytë
apo duhet të mbeten në gjendjen e tyre martesore? A do t’i pranojmë në Darkën e
Zotit?
7) Një burrë (jobesimtar) ka ikur në Gjermani (pa vizë) për të punuar dhe ka lënë
gruan e tij (një besimtare) këtu në Shqipëri me dy fëmijë. Sidoqoftë, ajo nuk ka
dëgjuar nga ai për dy vjet. A ka të drejtë ajo të ndahet nga burri?







Për të parë skedarë në
formatin PDF, juve ju duhet
programi Adobe Reader. Ju
mund ta shkarkoni atë falas
duke klikuar mbi figurën e
mëposhtme.
Komentari i Biblës për Besimtarët William MacDonald Dhiata e Re, Vëllimi 2, 368 faqe, Veprat, Romakëve, 1 Korintasve, 2 Korintasve Shtypur: Vernon Publishing Tirana, Albania, 2006 ISBN 99943-777-3-6
|
Komentari i Biblës për Besimtarët William MacDonald Dhiata e Vjetër, Vëllimi 2, 672 faqe, Jobi, Psalmet, Fjalët e Urta, Predikuesit, Kantiku i Kantikëve, Isaia, Jeremia, Vajtimet, Ezekieli, Danieli, Osea, Joeli, Amosi, Abdia, Jona, Mikea, Naumi, Habakuku, Sofonia, Hagai, Zakaria, Malakia Shtypur: Vernon Publishing Tirana, Albania, 2007 ISBN 97899943-962-1-4
|