Për të parë skedarë në
formatin PDF, juve ju duhet
programi Adobe Reader. Ju
mund ta shkarkoni atë falas
duke klikuar mbi figurën e
mëposhtme.
SHPJEGIME TEMATIKE:
NËPËR LUTJET E LIBRIT TË VEPRAVE
Veprat janë një studim mbi lutjet e suksesshme. Në kapitullin e parë kemi parë
dishepujt duke u lutur në dy raste të ndryshme. Lutja e tyre në dhomën e sipërme
pas Ngjitjes gjeti përgjigje në Ditën e Rrëshajëve. Lutja e tyre për udhëheqje në
zgjedhjen e një zëvendësuesi të Judës gjeti përgjigje nga rënia e shortit mbi
Matian. Dhe kështu është në të gjithë librin.
Ata që u kthyen në besim në Ditën e Rrëshajëve vazhduan me këmbëngulje në
lutje (2:42). Vargjet që pasojnë (43-47) përshkruajnë kushtet ideale që triumfuan
në këtë bashkësi plot lutje.
Pas lirimit të Pjetrit dhe Gjonit, besimtarët u lutën për guxim (4:29). Si rezultat,
vendi u drodh dhe ata të gjithë u mbushën me Frymën e Shenjtë dhe shpallën
fjalën e Perëndisë me çiltërsi (4:31).
Të dymbëdhjetët sugjeruan që shtatë burra të zgjidheshin për t'u marrë me punët
financiare kështu që ata vetë të mund t'ia kushtonin plotësisht kohën e tyre lutjes
dhe shërbesës së fjalës (6:3,4). Më pas apostujt u lutën dhe vunë duart mbi të
shtatë (6:6). Vargjet e tjera dëshmojnë triumfe të reja për Ungjillin (6:7-8).
Stefani u lut kur do martirizohej (7:60). Kapitulli 9 dëshmon për një përgjigje të asaj
lutjeje; kthimin në besim të një spektatori, Saulit [Pali] nga Tarsi.
Pjetri dhe Gjoni u lutën për samaritanët (që besuan) që të merrnin Frymën e
Shenjtë (8:15-17). Si rezultat, ata e morën Frymën e Shenjtë.
Pas shpëtimit të tij, Sauli nga Tarsi u lut në shtëpinë e Judës; Perëndia iu përgjigj
lutjes duke dërguar Ananian tek ai (9:11-17).
Pjetri u lut në Jopë dhe Tabitha u kthye në jetë (9:40). Si rezultat mjaft veta besuan
në Zotin (9:42).
Centurioni i kohortës (Korneli) u lut (10:2); lutjet e tij u ngjitën si një kujtesë para
Perëndisë (10:4). Një engjëll iu shfaq atij në një vizion, duke e drejtuar atë të
thërriste një njeri të quajtur Simon Pjetër (10:5). Ditën tjetër Pjetri u lut (10:9). Lutja
e tij gjeti një përgjigje nga një vizion qiellor që përgatiti atë t'i hapte dyert e
mbretërisë Kornelit dhe Johebrenjve të tjerë (10:10-48).
Kur Pjetri ishte i burgosur, të krishterët u lutën seriozisht për të (12:5). Perëndia iu
përgjigj duke e shpëtuar atë mrekullisht nga burgu, duke habitur ata që ishin duke
u lutur (12:6-17).
Profetët dhe mësuesit në Antioki agjëruan dhe u lutën (13:3). Kjo solli udhëtimin e
parë misionar të Palit e Barnabës. Është thënë se "kjo ishte arritja më e madhe e
parë ndonjëherë nga lutja; pasi preku skajet e tokës, madje deri tek ne, nëpërmjet
misionarëve Pal dhe Barnaba."
Në një udhëtim kthimi në Listra, Ikon dhe Antioki, Pali dhe Barnaba u lutën për ata
që kishin besuar (14:23). Një nga këta ishte Timoteu. A ishte një përgjigje e këtyre
lutjeve që Timoteu u bashkua me Palin dhe Silën në udhëtimin e tyre të dytë
misionar?
Në burg në Filipi, lutjet në mesnatë të Palit dhe Silës gjetën përgjigje nga një
tërmet i fuqishëm dhe nga kthimi në besim i rojtarit të burgut dhe familjes së tij
(16:25-34).
Pali u lut me pleqtë efesianë në Milet (20:36). Kjo solli një demonstrim prekës të
ndjenjave të tyre për të dhe një keqardhje që ata nuk do të mund ta shihnin më atë
në këtë jetë.
Të krishterët në Tiro u lutën për Palin në breg (21:5) dhe këto lutje padyshim e
ndoqën atë në Romë dhe në vendin e ekzekutimit.
Në mbytjen e anijes, Pali u lut publikisht duke falënderuar Perëndinë për
ushqimin. Kjo solli inkurajim tek turma e dëshpëruar dhe pasagjerët (27:35,36).
Në ishullin e Maltës, Pali u lut për babain e sëmurë të guvernatorit. Rezultati ishte
shërimi i mrekullueshëm i të sëmurit (28:8).
Kështu pra duket qartë se lutja ishte atmosfera në të cilën jetoi Kisha e hershme.
Dhe kur të krishterët u lutën, Perëndia punoi!
