SHPJEGIME TEMATIKE:
LIDHJA E BESIMTARIT ME LIGJIN
Ligji është ai sistem i legjislaturës që Perëndia ia dha kombit të Izraelit me anë të
Moisiut. I gjithë trupi i ligjit gjendet tek Eksodi 20-31, te Levitiku dhe te Ligji i
Përtërirë, ndërsa thelbi i tij është i përmbledhur te Dhjetë Urdhërimet.
Ligji nuk ishte dhënë si një mjet për shpëtimin (Vep. 13:39; Rom. 3:20a; Gal. 2:16,
21; 3:11). Ai ishte caktuar për t'u treguar njerëzve ligësinë e tyre (Rom. 3:20b; 5:20;
7:7; 1 Kor. 15:56; Gal. 3:19) e pastaj t'i drejtonte ata nga Perëndia për shpëtimin e
Tij të hirshëm. Ai i ishte dhënë kombit të Izraelit, megjithëse ai përmban parime
morale që janë të vlefshme për njerëzit e çdo epoke (Rom. 2:14-15). Perëndia e
provoi Izraelin nën ligj si një mostër të racës njerëzore. Faji i Izraelit vërtetoi fajin e
botës (Rom. 3:19).
Ligji kishte të bashkëngjitur pas vetes dënimin me vdekje (Gal. 3:10). Të thyeje një
urdhërim do të thoshte të ishe fajtor për të gjitha urdhërimet (Jak. 2:10). Meqenëse
njerëzit e kishin shkelur ligjin, ata ishin nën mallkimin e vdekjes. Drejtësia dhe
shenjtëria e Perëndisë kërkonin që dënimi të paguhej. Për këtë arsye erdhi Jezusi
në botë: për të paguar dënimin me anë të vdekjes së Tij. Ai vdiq si një
Zëvendësues për shkelësit fajtorë të ligjit, megjithëse Vetë ishte pa mëkat. Ai nuk
e hodhi poshtë ligjin; përkundrazi Ai i plotësoi të gjitha pretendimet e ligjit duke i
përmbushur kërkesat e prera të tij me jetën dhe vdekjen e Tij. Kështu, Ungjilli nuk
e përmbys ligjin. Ai e mbështet ligjin dhe tregon se si pretendimet e ligjit janë
kënaqur plotësisht me anë të veprës shpenguese të Krishtit.
Prandaj, personi që mbështet besimin në Jezusin nuk është më nën ligj. Ai është
nën hir (Rom. 6:14). Ai është i vdekur ndaj ligjit përmes veprës së Krishtit. Dënimi i
ligjit duhet paguar veç një herë. Meqenëse Krishti pagoi dënimin, atëherë
besimtari s'ka për të paguar. Në këtë kuptim është venitur ligji për të krishterin (2
Kor. 3:7-11). Ligji ishte një mbikëqyrës sa Krishti ishte pa ardhur, por pas
shpëtimit ky mbikëqyrës nuk nevojitet më (Gal. 3:24-25).
Megjithatë, ndërsa i krishteri nuk është nën ligj, kjo s'do të thotë se ai është pa ligj.
Ai është i lidhur nga një hallkë më e fortë se ligji sepse ai është nën ligjin e Krishtit
(1 Kor. 9:21). Sjellja e tij është brumosur jo nga frika e ndëshkimit, por nga një
dëshirë e përzemërt për t'i pëlqyer Shpëtimtarit të tij. Krishti është bërë sundimtari i
jetës së tij (Gjo. 13:15; 15:12; Efe. 5:1-2; 1 Gjo. 2:6; 3:16).
Një pyetje e zakonshme në një diskutim për lidhjen e besimtarit me ligjin është
kjo: "A duhet t'i bindem unë Dhjetë Urdhërimeve?" Përgjigjja është që disa parime
të përfshira në ligj kanë një lidhje të përhershme. Është gjithmonë gabim që të
vjedhësh, të lakmosh ose të vrasësh. Nëntë prej Dhjetë Urdhërimeve janë
përsëritur në DhR, me një dallim të rëndësishëm: ato nuk janë dhënë si ligj
(bashkëngjitur me dënim), por si formim në drejtësi për popullin e Perëndisë (2
Tim. 3:16b). I vetmi urdhërim që nuk përsëritet është ligji i Shabatit. Të krishterët
nuk janë mësuar kurrë që të mbajnë Shabatin (d.m.th. ditën e shtatë të javës, të
shtunën).
Shërbesa e ligjit ndaj të pashpëtuarve nuk ka përfunduar: "Dhe ne e dimë se ligji
është i mirë, në qoftë se njeriu e përdor si duhet" (1 Tim. 1:8). Përdorimi i tij i
ligjshëm është për të prodhuar njohjen e mëkatit e kështu për të çuar drejt
pendimit. Por ligji nuk është për ata që janë të shpëtuar tashmë: "Ligji nuk është
vënë për të drejtin" (1 Tim. 1:9).
Drejtësia e pretenduar nga ligji është përmbushur në ata "që nuk ecin sipas
mishit, por sipas Frymës" (Rom. 8:1, 4). Në fakt, mësimet e Zotit tonë në
Predikimin në Mal vendosin një standard më të lartë se sa ai i vënë nga ligji. Për
shembull, ligji tha: "Mos vrisni." Jezusi tha: "As mos u zemëroni." Kështu Predikimi
në Mal jo vetëm që e mbështet Ligjin dhe Profetët, por ai i përforcon ata dhe
zhvillon nënkuptimet më të thella të tyre.







Për të parë skedarë në
formatin PDF, juve ju duhet
programi Adobe Reader. Ju
mund ta shkarkoni atë falas
duke klikuar mbi figurën e
mëposhtme.