Shkarko PDF


MARIN PIQONI
Kam lindur në korrik të vitit 1983
në qytetin e bukur të Pogradecit.
Në këtë qytet të vogël kanë ndodhur
shumë gjëra që i përkasin jetës
sime. Fëmijëria ime nuk ka qenë
shumë e mbarë për vetë faktin se
isha një fëmijë rebel. Prindërit e
mi janë përpjekur të më ndreqin
me edukimin e duhur (u jam
shumë mirënjohës për thuprat e
korigjimit) por dukej qartë se unë nuk kisha ndërmend të ndryshoja sjellje.
Me kalimin e kohës, kur isha 12 vjeç, unë dhe motra ime filluam për të frekuentuar
një bashkësi për fëmijë në të cilën na tregonin për një person i cili na donte
shumë, dhe ky ishte Jezusi. Më pëlqente kur këndonim këngë të bukura për
Jezusin dhe kur dëgjonim histori mjaft interesante nga një libër që quhej Bibla.
Por, në fakt, më tepër se këto gjëra mua më interesonte të më jepnin ndonjë
dhuratë a ndonjë ëmbëlsirë. Duke qenë se nuk kisha interes përveç argëtimit,
ëmbëlsirave e dhuratave, më dukej e mërzitshme dhe kështu nuk shkova më. Jo
vetëm kaq, por më dukej vetja më i rritur dhe nuk doja të humbisja kohën me këto
gjëra.
Kur shkova në vitin e parë të shkollës së mesme, krenaria ime kishte arritur
kulmin. Mendoja se isha i rritur tashmë, se dija çdo gjë nga jeta dhe nuk duhej
humbur asnjë minutë pa e shijuar atë. Kështu fillova për të munguar në orët e
mësimit për të dalë shëtitje me shoqërinë dhe nisa të pi edhe duhan (babai im
edhe sot nuk e ka marrë vesh këtë). Kisha një dëshirë dhe pasion për të provuar
gjithçka nga jeta. Në fund të fundit, për mua ishin vitet më të bukura të jetës. Por,
në fakt, kisha rënë në një gjendje shumë të ulët morali. Me mësimet isha dobët në
shkollë dhe, më gjithë përpjekjet për të shmangur pasojat, u desh të jepja një
provim në vjeshtë. Prindërit dhe të afërmit të mi qenë mjaft të shqetësuar për mua
dhe më kërkuan t’u kushtohesha mësimeve me seriozitet. Por fjalët e tyre ranë në
vesh të shurdhët.
Ndërkohë, në vitin e dytë, mua dhe motrës sime na kërkuan të pagëzoheshim në
“Kishën Ortodokse” në mënyrë që të bëheshim të krishterë (pasi gjyshja ime
thoshte se ishte gjynah po të mbeteshim fëmijë të pafe). Dhe kështu u pagëzuam.
Mësova se feja “ortodokse” ishte feja e vërtetë dhe se grupet “evangjeliste” (apo
ungjillore) kanë prishur traditën dhe fenë e vërtetë.
Gjatë kësaj kohe në Pogradec kishte ardhur vëllai Xhorxh Sturm me familjen e tij
dhe kishin themeluar (ose mbjellë) Asamblenë Biblike. Një nga personat që
frekuentonte atë kishë ishte shoku im i klasës. Unë personalisht kisha një urrejtje
për këto grupe të cilat “kishin ardhur për të na prishur traditën e fesë sonë
ortodokse”. Por ai (quhet Greis) me durim më shpjegonte disa nga të vërtetat e
Biblës. Më fliste për mëkatet e mia, por unë tashmë e konsideroja veten një të
krishterë. Për mua ishte e mjaftueshme që isha pagëzuar dhe që kisha fenë time.
Kjo do të ishte e vlefshme që unë të isha në rregull me Zotin dhe të shkoja në
parajsë. Por realiteti im i brendshëm ishte ndryshe. Nga brenda isha i njëjti
person si para pagëzimit. Greisi më bëri një ftesë për të shkuar në Asamblenë
Biblike. Ky ishte kulmi për mua. Fillova për ta kritikuar e ofenduar. Ju drejtova me
fjalë si këto: “Mos shko më atje sepse shoh që ke rrjedhur fare. Ata të huajt të
kanë shpëlarë trutë. A nuk e kupton që po na prishin fenë dhe traditën tonë?”.
Megjithatë vëllai qëndroi i qetë duke mos u zemëruar me mua. Ai në veten e tij
ishte i bindur për ato që fliste.
Nuk e di se çfarë më shtyu dhe vendosa të shkoj njëherë. Atë mbrëmje dhjetori po
flitej nga Libri i Zbulesës. Nuk u desh shumë kohë e gjatë të kuptoja se një ditë do
të përballesha me Zotin në gjyq dhe feja ime nuk do të kishte asnjë vlerë para Tij.
E vetmja gjë që do të më ngelej pas vdekjes ishte barra e mëkatit. Më dukej sikur
mesazhi ishte vetëm për mua. Asnjëherë më përpara në jetën time nuk e kisha
ndier veten aq fajtor për mëkatet e mia. Interesi për të dëgjua nga Fjala e
Perëndisë sa vinte e rritej dhe, duke frekuentuar takimet, kuptova më shumë për
jetën time, mëkatet e mia dhe Ungjillin. Krishti Jezus, një person jo i padëgjuar
për mua, kishte vdekur në kryq duke derdhur gjakun e Tij për mëkatet e mia. Ai
mori dënimin që unë meritoja të ndëshkohesha prej Perëndisë. Kështu, shkova
në shtëpi, mbylla derën e dhomës dhe i kërkova Jezusit të më falte mëkatet dhe të
vinte në jetën time si Zot dhe Shpëtimtar. Ajo ditë ishte shumë e veçantë për mua
dhe nuk mund ta harroj - ishte 24 dhjetor 1999. Në çastin kur pranova Krishtin në
jetën time nuk pata ndonjë ndjesi të veçantë përveç faktit se e dija që faji im ishte
hequr dhe që Krishti erdhi të jetojë në mua për gjithë jetën.
Gradualisht shumë ndryshime ndodhën tek unë kur u shpëtova. Gjëja e parë ishte
pastrimi i fjalorit në gjuhën time. Por sigurisht që unë nuk jam i përsosur në jetë
dhe ka akoma gjëra që duhen rregulluar me Zotin.
Mbas 2 muajsh u pagëzova, tashmë si një dëshmi se kam besuar Krishtin dhe jo
për t’u bërë një i krishterë. Ishte vërtet një dëshmi me kuptim duke treguar se kam
një jetë të re me Krishtin. Një varg që më pëlqen shumë nga Bibla është:
" ... vetë Perëndia ka thënë: ‘Nuk do të të lë, nuk do të të braktis". (Heb. 13:5)
Kjo do të thotë edhe që Perëndia, i cili nisi një punë të mirë në ne, do ta
përfundojë deri në ardhjen e Krishtit. Perëndia nuk do të heqë dorë prej nesh, Ai
nuk do të na braktisë por do të vazhdojë të na sprovojë, kalitë e forcojë. Ai do të
punojë duke qenë pranë nesh në dështimet tona për të na nxjerrë përpara vetes
së Tij të paqortueshëm.
Dëshira e jetës simë është të jetoj për Shpëtimtarin. Aktualisht jam duke i
shërbyer Zotit me fëmijët. Ata janë mëkatarë dhe kanë nevojë për Ungjillin. Kam
shumë dashuri dhe lutem për ta. Shpesh kam mësuar unë shumë gjëra prej tyre,
për shembull, si të jem më i sinqertë dhe i përulur në jetë. Jezusi vetë i pranoi
fëmijët në krahët e Tij kur ata shkuan duke ndërprerë bisedën me të rriturit.
Shumë njerëz po e dëgjonin Jezusin duke folur, por fëmijët ishin shembulli më i
mirë se si duhet ta shohim Krishtin. Le të kemi të gjithë një zemër të tillë duke
dashur të jemi të përulur si fëmijët dhe me një zemër të hapur e të sinqertë për të
dëgjuar e për t’ju bindur Zotit në çdo hap të jetës sonë.
Amen!
Për të parë skedarë në
formatin PDF, juve ju duhet
programi Adobe Reader. Ju
mund ta shkarkoni atë falas
duke klikuar mbi figurën e
mëposhtme.
Marini me nënën, Ramie, dhe motrën, Sofia
|