Qendra Emanuel
Kryqëzimi i Dinamos
pas Butik Roma,
Elbasan,
ALBANIA
Telefon:
+355 68 2256619
+355 69 2054617
+355 69 2066789

Cila është Qendra Emanuel?
Qendra Emanuel është një bashkësi e krishterë sipas modelit të kishave në
Dhiatën e Re. Ajo gjendet në Elbasan, një qytet që gjendet në qendër të
Shqipërisë. Vendi i takimeve tona ndodhet në qendër të Elbasanit.
Synimi ynë
Ne jetojmë për të pasur një jetë e cila i përkushtohet adhurimit të Perëndisë, duke
e quajtur atë si një përgjegjësi parësore të jetës njerëzore; i përkushtohet ndërtimit
të të krishterëve përmes mësimeve, programeve të dishepullimit individual dhe
nxitjes së njëri-tjetrit, duke u përpjekur të jetojmë një jetë të frytshme në shërbim
ndaj Tij, ashtu si Krishti urdhëron ose jep shembullin vetjak në Shkrime. Ne i
përkushtohemi shpalljes së ungjillit, duke e quajtur këtë përgjegjësinë kryesore të
jetës së krishterë. Ne besojmë se kisha ka privilegjin dhe përgjegjësinë të shpallë
të vërtetën e vetme që mund të shpëtojë njeriun: ungjillin e Krishtit.
Takimet tona
Ne i zhvillojmë takimet tona 3 herë në javë: të martën në ora 17 (ose 18 në
pranverë e verë) zhvillojmë takimin e predikimit dhe të mësimit nga Shkrimi, takim
me theks ungjillizues; të enjten po në këtë orë në mblidhemi në një takim nxitjeje,
rrëfimi vetjak dhe lutjeje të përbashkët; çdo të diel në ora 9 ne, besimtarët,
mblidhemi së bashku për të kremtuar Darkën e Zotit, thyejmë bukën dhe marrim
verën për të përkujtuar atë që Krishti bëri për të na shpëtuar. Pas Darkës së Zotit
ne kemi një takim mësimi nga Shkrimi për forcimin e kishës. Të dielën në orën 12
organizojmë takimin e fëmijëve. Takimi përmban këngë për Perëndinë, lutje,
mësim nga Bibla dhe lojëra. Ditën e hënë dhe të shtunë ne ungjillizojmë: dalim për
të ungjillizuar njerëzit, qoftë duke shpërndarë literaturë të krishterë, qoftë duke bërë
vizita, qoftë duke shkuar shtëpi më shtëpi për të shpallur ungjillin.
Emri ynë
Emri i kishës sonë Emanuel është një nga emrat biblikë të Perëndisë dhe që do të
thotë Perëndia me ne (Mateu 1:23). Kjo nuk do të thotë se ne besojmë që Perëndia
është vetëm me ne dhe se ne jemi e vetmja kishë që zotërojmë të vërtetën mbi
Perëndinë, por se me jetët tona ne synojmë të shfaqim që Perëndia banon në ne.
Kjo është përgjegjësia dhe privilegji ynë. Kjo është gjëja që ne duam të na dallojë.
Ju ftojmë
Ne mund t’u japim të tjerëve vetëm Krishtin. Kështu që ne ftojmë në takimet tona
çdo njeri që kërkon me një zemër të hapur Krishtin dhe të vërtetën biblike në lidhje
me të. Përpjekje për një jetë të shenjtë larg mëkatit që na rrethon çdo ditë, nxitje e
ngushëllim për njëri-tjetrin në kohë të vështira dhe një kohë e kaluar në praninë e
Fjalës së Tij dhe në njësinë e Frymës: vetëm këto janë gjërat që ne u japim të
tjerëve në takimet tona. Ne i ftojmë të gjithë në takimet tona, sepse dhe mesazhi i
hirit të Perëndisë i drejtohet gjithë njerëzimit (Titi 2:11). Elbasani është dhe një qytet
universitar, kështu që ne kemi studentë nga rrethe të ndryshme anëtarë të kishës.
Kësisoj ne i ftojmë studentët në takimet tona për të ditur dhe më shumë për
Krishtin dhe për ta pranuar Atë.
Lutuni për ne:
Për ungjillizimin që zhvillojmë të hënave e të shtunave.
Për mësimet e dishepullimit që kemi me besimtarët e rinj.
Për qeranë e sallës së takimeve tona, të cilën e përballojmë vetë.
Për forcimin e njësisë së Frymës mes nesh e kishave motra.
Për shtimin e radhëve tona, që do të thotë sa më shumë të rilindur në Krishtin.
